JURISTI ONLINE

Vendim Komisioni Qendror per Ofrimin e Asistences

Ofrimi i asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë për shkak të epidemisë së shkaktuar
nga COVID-19
Këshilli ministrave ka miratuar marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave
në nevojë gjatë kohëzgjatjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19 si vijon:
a) dërgimin e pagesave mujore që subjektet përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga
sigurimet shoqërore;
b) dhe në dërgimin e produkteve, ushqimore e joushqimore, minimale, barnave të
rimbursueshme dhe atyre me kërkesë, për përballimin e situatës apo në kryerjen e
furnizimeve me produktet e mësipërme, për llogari të tyre.
Në mbështetje të këtij vendimi Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës vendosi për
përcaktimin e masës së produkteve, ushqimore dhe joushqimore, minimale, dhe llojit e procedurave
të asistencës ndaj shtresave në nevojë, si më poshtë:
1. Shtresa në nevojë do të konsiderohen:
a. Familjet dhe individët në nevojë mwposhtw:
i. Familjet/individët në nevojë, të cilët janë të pastrehë,
ii. familjet/individët që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit,
iii. familjet/individët në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike të cilët nuk kanë asnjë
të ardhur tjetër përveç ndihmës ekonomike apo të cilët kanë mbi 5 anëtarë, 3 nga të
cilët nën 18 vjeç, si dhe
iv. familjarë/individë në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike nga bashkitë, do të
përfitojnë dërgimin e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore falas në shtëpi.
b. Personat me aftësi të kufizuar dhe pensionistët, të cilët nuk kanë familjare në moshë aktive
pune pranë njësisë administrative ku banojnë, do të përfitojnë asistencë sociale (shërbim në
banesë të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore) me pagesë të vetë individit.
c. Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, mbi moshën aktive të
punës, të cilët nuk kanë familjare në moshë aktive pune pranë njësisë ku banojnë, si dhe
pensionistët, do të marrin pagesën mujore që përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale
dhe sigurimeve shoqërore në banesë, nga posta shqiptare në bazë të listave të konfirmuara.
d. Për evidentimin e përfituesve sipas kësaj pike Posta Shqiptare bashkëpunon me komisionet
e mbrojtjes civile në qark, në bashki, SHSSH, si dhe me ISSH.
Në rast mungese mjetesh transporti, Posta Shqiptare i adreson kërkesë Shefit të Shtabit të
Përgjithshëm të FA, i cili merr masat për përdorimin e mjeteve të FA për realizimin e kësaj
detyre.
ç. Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar mbi moshën aktive të
punës, si dhe pensionistët, të cilët nuk kanë familjare në moshë aktive pune, pranë njësisë ku
banojnë, do të përfitojnë dërgimin e barnave të rimbursueshme dhe/ose me kërkesë, në
shtëpi nga ekipet në terren duke bashkëpunuar me mjekun e familjes.
2. Asistenca ndaj shtresave në nevojë do të konsistojnë në format e mëposhtme:
a. dërgimin e pagesave mujore që subjektet përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga
sigurimet shoqërore, në shtëpi;
b. dërgimin e produkteve ushqimore, falas në shtëpi;
c. dërgimin e produkteve ushqimore, me pagesë nga vetë individët, në shtëpi;
ç. dërgimin e produkteve jo ushqimore, falas në shtëpi;

d. dërgimin e produkteve ushqimore, me pagesë nga vetë individët, në shtëpi;
dh. dërgimin e barnave të rimbursueshme në shtëpi;
e. dërgimin e barnave me kërkesë në shtëpi;
ose nga kombinim i dy apo më shumë formave të mësipërme.
3. Masa minimale e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore për dy javë do të jetë:
a) Makarona në sasinë 4 kg;
b) Oriz në sasinë 4 kg;
c) Vaj ushqimor në sasinë 2 litra;
d) Sheqer në sasinë 2 kg;
e) Kripë në sasinë 1 kg;
f) Salcë në sasinë 2 kg;
g) Fasule në sasinë 5 kg;
h) Miell në sasinë 25 kg për 1 muaj
i) Detergjent në sasinë 5 kg;
j) Sapunë në sasinë 5 copë.
4. Bashkitë dhe prefekturat, në çdo rast, pavarësisht kërkesës së individëve verifikojnë nëse ato
janë ose jo subjekte përfituese (shtresa në nevojë) në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave
dhe vendimit të Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës. Pasi të bëhet konfirmimi i listave
përfituese, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive ngrenë komisionet e mbrojtjes civile dhe
marrin të gjitha masat me personelin e tyre, si dhe me shërbimin e vullnetarëve për dërgimin e
produkteve, ushqimore dhe joushqimore, te shtresat në nevojë.
5. Produktet ushqimore dhe jo ushqimore si dhe barnat dërgohen në shtëpi çdo 2 javë.
Produkti “Miell”, dërgohet në shtëpi çdo muaj, me përjashtim të përfituesve të ndihmës
ekonomike të cilët kanë mbi 5 anëtarë, 3 nga të cilët nën 18 vjeç, të cilëve u dërgohet sasia e
plotë çdo dy javë.
6. Dërgimi i produkteve ushqimore dhe jo ushqimore me pagesë, në shtëpi, bëhet nga ekipet në
terren sipas kërkesës që individët/familjet i paraqesin bashkive apo prefekturave.
7. Dërgimi i pagesave mujore, që këta persona përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale, i
sigurimeve shoqërore, në banesë, do të kryhet nga shërbimi postar, në bazë të listave të
konfirmuara.
8. Listat përditësohen çdo javë nga prefektët e qarqeve, bashkitë, Shërbimi Social Shtetëror dhe
Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe i dërgohen për konfirmim Komisionit Qendror për Ofrimin
e Asistencës.
9. Ngarkohen me zbatimin e këtyre vendimeve, Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të Forcat e
Armatosura, Prefektët e qarqeve, Bashkitë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Shërbimi Social
Shtetëror, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Posta Shqiptar, Fondit të Sigurimit të
Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.