Zgjidhje martese me ndermjetesim

Pershendetje!
Dua te zgjidh martesen me bashkeshortin tim. A mund te zgjidh me ane te ndermjetesimit? Nese po, cila eshte procedura qe duhet te ndjek? Faleminderit


Qytetari: E. O. Data: 14 January , 2021, Kategoria: Familjare, Ndermjetesim.

One response to “Zgjidhje martese me ndermjetesim”

  1. Mario Prendi Mario Prendi says:

    Përshëndetje!

    Ndërmjetësimi është një mënyrë alternative, jashtëgjyqësore e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve e cila zbatohet edhe për rastet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës familjare, referuar nenit 2/2 të Ligjit Nr. 10385, dt. 24.02.2011 “Për Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve”.

    Referuar dhe nenit 12/1 të ligjit për ndërmjetësimin, ju fillimisht duhet t’i paraqisni një ftesë me shkrim, në këtë rast bashkëshortit tuaj për ta ftuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj me anë të ndërmjetësimit. Nëse pala të cilës ju i keni drejtuar ftesën për ndërmjetësim brenda 30 ditëve ju përgjigjet pozitivisht për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit per zgjidhjen e marteses, atëhere sipas parashikimeve të nenit 16/1 ju në bashkëpunim me palën tjetër mund të zgjidhni një ose më shumë ndërmjetës të profilizuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore në fushën e së drejtës familjare duke ju referuar dhe listës së përditësuar të ndërmjetësve (listen e ndermjetesuesve te licensuar e aksesoni ne linkun me poshte): http://www.gjykatatirana.gov.al/previewdoc.php?file_id=734

    Ju në bashkëpunim me ndërmjetësin e perzgjedhur dhe në marrëveshje me palën tjetër (bashkeshortin tuaj) mund të përcaktoni kushtet, procedurën si dhe afatet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes brenda kufijve ligjorë. Gjatë zhvillimit të procesit të ndërmjetësimit, ndërmjetësi është i detyruar të trajtojë palët në mënyrë të barabartë, të jetë i drejtë dhe i paanshëm duke marrë në konsideratë dhe të gjitha rrethanat e çështjes.

    Duhet theksuar fakti që, nëse ju arrini në një marrëveshje me palën tjetër (bashkeshortin tuaj), ndërmjetësimi konsiderohet i përfunduar dhe në sajë të nënshkrimit të aktmarrëveshjes, vendimi fillon të prodhojë efektet juridike dhe përbën titull ekzekutiv. Konform nenit 24/1 te ligjit per ndermjetesimin, shpenzimet proceduriale për zhvillimin e ndërmjetësimit paguhen proporcionalisht nga palët, nëse ato nuk kanë parashikuar ndryshe me marrëveshje midis tyre.

    Nëse ju vlerësoni se, gjatë zhvillimit të procesit të ndërmjetësimit, nuk mund të arrini zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj me anë të ndërmjetësimit, ne cdo kohe mund t’i drejtoheni gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj në rrugë gjyqësore.

    Ju faleminderit!

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet