Thirrje per t’u pyetur ne prokurori

Pershendetje,

Dua te di nese eshte e detyrueshme qe prokurori te therrase per te deshmuar te kallezuarin para se te dergoje ceshtjen ne gjykate apo e therret vetem nese e shikon te arsyeshme? Ju faleminderit,


Qytetari: A. K. Data: 17 August , 2020, Kategoria: Penale.

One response to “Thirrje per t’u pyetur ne prokurori”

  1. 1

    Pershendetje,

    Ne nenin 327 te Kodit te Procedures Penale, parashikohen veprimet e policise gjyqesore dhe prokurorit ne momentin e perfundimit te hetimeve.
    Ne piken 2,3,4 te ketij neni, parashikohet se, “Brenda afatit të parashikuar nga neni 324, i këtij Kodi, prokurori njofton mbi përfundimin e hetimeve paraprake të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit.
    Njoftimi përmban përshkrimin e përmbledhur të faktit penal për të cilin procedohet, kohën dhe vendin e kryerjes, cilësimin juridik, lajmërimin për depozitimin e akteve në sekretari dhe të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje.
    I pandehuri njoftohet gjithashtu, se ka të drejtë që brenda dhjetë ditëve të paraqesë memorie e dokumente, t’i kërkojë prokurorit kryerjen e hetimeve shtesë, të bëjë deklarime apo të kërkojë që të
    merret në pyetje. Kur i pandehuri kërkon të pyetet, prokurori është i detyruar të procedojë me pyetjen e tij”.

    Ne interpretim te pikave te mesiperme te nenit 327 te KPP, prokurori pasi njihet me relacionin e policisë gjyqësore dhe çmon se hetimet janë të plota, kur vlerëson se çështja duhet të dërgohet në gjyq, ai formulon një akt për përfundimin e hetimeve paraprake dhe ua njofton atë personit nën hetim, mbrojtësit dhe viktimës. Ligji nuk vendos detyrimin e kryerjes së procedurës së mësipërme në rastet kur prokurori vlerëson se çështja duhet të pushohet. Në këto raste prokurori detyrohet të njoftojë të interesuarit, duke u dërguar kopje të vendimit për pushimin e hetimeve ose kopje të kërkesës për pushimin e akuzës ose çështjes. Pas njoftimit, është e drejta e palëve të kërkojnë të njihen me aktet dhe të marrin kopje të tyre.

    Me ndryshimet e vitit 2017, neni 327 i KPP nuk ka pësuar ndryshime vetëm paragrafi 1, kurse dispozita në tërësi është ndryshuar në thelb, duke theksuar garancitë e mbrojtjes. Ligjvënësi ka dashur që faza e hetimeve paraprake, ku aktet mbrohen nga sekreti, të përmbyllet duke siguruar një proces kontradiktor, i cili do të garantonte të drejtat e mbrojtjes dhe do t’i ndihmonte palët në debatin para gjyqtarit të seancës paraprake.

    E drejta e personit nenhetim/te pandehurit për të kërkuar marrjen e provave të reja dhe plotësimin e hetimeve, si për shëmbull, pyetjen e dëshmitarëve, nuk është një e drejtë absolute; ajo lihet në çmimin e organit që procedon. Por, kur kërkesa është e argumentuar, ajo mund të refuzohet vetëm për arsye të rëndësishme. Pra, prokurori nuk është i detyruar të pranojë të gjitha kërkesat e mbrojtjes, por në rast refuzimi ai duhet të japë vendim të arsyetuar. Ligji parashikon vetëm një rast kur kërkesa e mbrojtjes nuk mund të refuzohet: kur i hetuari kërkon që të merret në pyetje.

    Njoftimi për përfundimin e hetimeve ka rëndësi procedurale, sepse kur nuk respektohen dispozitat e paragrafëve 2, 3 dhe 4 të nenit 327, akti është i absolutisht pavlefshëm dhe kjo pavlefshmëri i përcillet edhe aktit pasardhës të dërgimit të çështjes në gjyq. Gjithashtu, nga data e njoftimit fillon të ecë afati 10-ditor në dispozicion të mbrojtjes dhe viktimës.

    Faleminderit,

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet