Pergjegjesi prinderore

Pershendetje, ne momentin qe babai I femijes tim eshte i alkoolizuar, nuk ka kontribuar financiarisht dhe moralisht prej shume vitesh te femija, eshte shembull negativ, nuk eshte prind I denje.
1-A mund te kerkoj heqjen e pergjegjesise prinderore te tijen mbi femijen.
2-Cfare garanton heqja e pergjegjesise prinderore, pra cili eshte qellimi I saj, cfare Arrihet?
3-Femija eshte 15 vjec, padia duhet patjeter ne emrin e tim si mamaja apo mund te behet dhe ne emer te femijes si padites dhe une te firmos si kujdestare ligjore?
4-Pas kesaj, a ka femija im detyrim per pension ushqimor ndaj babait te tij nese ai e kerkon dicka te tille ne nje moment te caktuar te jetes?
5-A eshte femija im trashgimtare i pasurise se tij, pasi ai te nderroi jete, edhe pas vendimit per pergjegjesin prinderore. Faleminderit


Qytetari: M. X. Data: 9 October , 2020, Kategoria: Uncategorized.

One response to “Pergjegjesi prinderore”

  1. 4

    Pershendetje. Lidhur me pyetjet qe ju keni shtruar, gjeni pergjigjet si vijon:
    1-A mund te kerkoj heqjen e pergjegjesise prinderore te tijen mbi femijen.
    Kodi i familjes parashikon dy raste lidhur me humbjen e pergjegjesise prinderore. Perkatesisht kur kjo humbet, apo kur hiqet.
    Neni 223
    Humbja e përgjegjësisë prindërore
    Prindërit e fëmijës mund të humbasin përgjegjësinë prindërore nëpërmjet një vendimi penal që i ka dënuar ata si autorë ose si bashkëpunëtorë për një vepër penale ndaj fëmijës së tyre, si bashkëpunëtorë në një vepër penale të kryer nga fëmija i tyre ose nëse janë dënuar për ndonjë nga shkaqet e braktisjes së familjes, për sa kohë që ata nuk kanë marrë përsipër detyrimet që kanë ndaj saj.

    Heqja e përgjegjësisë prindërore
    Neni 228
    Kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore ose tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj, ose me veprimet e tij ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijëve, me kërkesën e prindit tjetër, të të afërmve të fëmijës ose të prokurorit, mund t’i hiqet përgjegjësia prindërore.
    Heqja e përgjegjësisë prindërore bëhet me vendim të gjykatës, duke u thirrur si i paditur prindi, për të cilin kërkohet kjo heqje.

    Ne rastin tuaj, ju keni te drejte te kerkoni heqien e pergjegjesise prinderore, nese arrini te provoni ne gjykate se prindi ka pakujdesi te rende ne ushtrimin e pergjegjesisë së tij prindërore, ose kur ndikon keq në rritjen dhe edukimin e fëmijës. Në çdo rast, gjykata do të kërkojë caktimin e një eksperti psikolog, i cili do të bëjë vlerësimin e rastit.

    2-Cfare garanton heqja e pergjegjesise prinderore, pra cili eshte qellimi I saj, cfare Arrihet?
    Në rast se hiqet përgjegjësia prindërore e njërit prind, atëherë çdo vendim lidhur me rritjen dhe edukimin e fëmijës do të merret nga prindi tjetër, psh, çfarë shkolle do të ndjekë, nëse do të lëvizë jashtë vendit nuk i duhet autorizimi etj.. Heqia e përgjegjësisë prindërore nuk ndikon në detyrimin për pension ushqimor që prindi ka kundrejt fëmijës së tij, pra ai do të detyrohet t’i përmbush këto detyrime edhe pas heqies së përgjegjësisë prindërore.
    3-Femija eshte 15 vjec, padia duhet patjeter ne emrin e tim si mamaja apo mund te behet dhe ne emer te femijes si padites dhe une te firmos si kujdestare ligjore?
    Kërkesa për heqie të përgjegjësisë prindërore nuk bëhet nga fëmija, por nga ju, si nënë dhe babai do të jetë në cilësinë e të paditurit.
    4-Pas kesaj, a ka femija im detyrim per pension ushqimor ndaj babait te tij nese ai e kerkon dicka te tille ne nje moment te caktuar te jetes?
    Detyrimi për pension ushqimor i fëmijës kundrejt prindit nuk është i lidhur me përgjegjësinë prindërore, apo me kërkesën e prindit, por me kushtet dhe rrethanat. Që një prind të ketë të drejtë të kërkojë pagesën e detyrimit për ushqim nga fëmija i tij, duhet të jetë i paaftë për punë, e vërtetuar me raport mjekoligjor dhe të mos ketë mundësi jetese të mjaftueshme.
    5-A eshte femija im trashgimtare i pasurise se tij, pasi ai te nderroi jete, edhe pas vendimit per pergjegjesin prinderore.
    Përgjegjësia prindërore dhe/ose heqia e saj nuk ka asnjë lidhje me aftësinë e fëmijës për të trashëguar prindin të cilit i është hequr kjo përgjegjësi, por ka lidhje vetëm me ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve për të marrë vendime për edukimin dhe rritjen e fëmijës së mitur.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet