Pension

Pershendetje .
Kam humbur librezen e punes , dhe tani jam 65 vjec si mund te aplikoje per pension , ku mund ti gjeje vitet e punes
Faleminderit

Qytetari: X.C.
Data: 21 Mars 2023, Kategoria: Pensioni

Përgjigje nga Avokatët tanë për pyetjen.

Juristi Online

One Response

  1. Përshëndetje,
    Mbledhja e viteve të punës, që duhen për plotësimin e kushteve të daljes në pension, si dhe vërtetimi i pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, do të sigurohen vetëm nëpërmjet shërbimit online në portalin qeveritar “e- albania”. Kundrejt tarifave zero nga portali online, mund të siguroni të gjitha vërtetimet e duhura mbi vjetërsinë kontributive që duhet për plotësimin e kushteve të daljes në pension. Këto vërtetime do të jenë të pajisura me vulat përkatëse elektronike, ndërkohë që vlefshmëria e tyre do të jetë pa afat.

    Në e-albania ju do të mund të merrni të gjitha vërtetimet e sigurimeve shoqërore.. Për konfirmimin e vjetërsisë së punës në portalin online mund të aplikohet për vërtetimin për periudha pune të kryera në ndërmarrjet shtetërore para janarit të 1994, vërtetimin për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga viti 1994 deri në përfundim të vitit 2011, vërtetimet për periudha pune në ish-Kooperativat Bujqësore (KB). Nëpërmjet portalin do të mund të aplikohet edhe për vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurimin vullnetar (1993-2013), me firmë elektronike. Vërtetimet janë falas dhe mund të shkarkohen në çdo kohë nga çdo aplikues nëpërmjet rubrikës së “dokumentet e mija” që ndodhet në portalin e-albania”, sqarojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore.

    Mbledhja e viteve të punës
    Procedurat për sigurimin e këtyre dokumenteve janë tejet të thjeshta. Hapi i parë që duhet të ndiqni për sigurimin e vërtetimit për vjetërsinë e punës të kryer sipas periudhave dhe viteve përkatëse për të cilat jeni të interesuar është që të hyni në portal nëpërmjet adresës http://www.e-albania.al, ku fillimisht duhet të identifikoheni si qytetar dhe të vijoni me procedurat e aplikimit.

    Pasi të bëni identifikimin në portal duhet që të zgjidhni shërbimin përkatës që ju duhet, i cili mund të jetë: “Vërtetim për periudha pune në ndërmarrje shtetërore (para datës 01.01.1994)”, “Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 01.01.1994 deri 31.12.2011”, “Vërtetim për vjetërsinë kontributive pas viteve nga viti 2012 e në vijim”.

    Pasi të përzgjidhni rubrikën përkatëse sipas nevojës, duhet të klikoni në butonin “Përdor”. Menjëherë më pas do t’ju shfaqet formulari përkatës në të cilin duhet të plotësoni të dhënat e kërkuara në lidhje me subjektin ku ju keni punuar në vitet përkatëse. Duke bërë plotësimin e formularit me kujdes në të gjitha rubrikat, do të mund të vijoni më pas me dërgimin e tij. Pas procesimit që do të bëhet me verifikimin e formularit nga strukturat përgjegjëse të sigurimeve shoqërore, ju do të mund të gjeni në çdo kohë vërtetimin përkatës në seksionin “Dokumentet e mia” që ndodhet tek hapësira juaj në portalin “e-albania”. Periudha e vlefshmërisë së këtyre vërtetimeve është pa afat, ndërkohë që nuk kërkohet të paguani asnjë lloj tarife për marrjen e tyre.
    mund të referoheni në linkun e më poshtëm:
    https://e-albania.al/eAlbaniaServices/Packages.aspx?lvl=3&path_code=28-1061&cat_id=28

    Ju faleminderit!

Lini një Përgjigje