Parashkrimi fitues

Pershendetje,

Babai im eshte posedues i nje banese prej 31 vitesh, por ne momentin e blerjes ne vitin 1989 nga gjyshi im, blerja eshte bere vetem me nje leter dore para keshillit te lagjes dhe ne prani te deshmitareve. (nuk ka kontrate shitblerje noteriale dhe nuk eshte regjistruar ne zrpp. Kjo sepse banesa ne fjale ne momentin e shitblerjes nuk ishte ne emer te shitesit. Banesa ishte akoma ne emer te babait te shitesit, edhe pse kishte nderruar jete, nuk ishte pjestuar si pasuri dhe shitesi nuk kishte nje deshmi trashegimie qe vertetonte origjinen e prones. Ishte bere thjesht nje ndarje faktike mes vellezerish te pjeseve qe dispononte secili).

Dua te theksoj qe edhe sot banesa vazhdon akoma e papjestuar (nuk eshte bere me asnje veprim juridik) dhe nuk ka pasur ne asnje moment pretendime nga ana e trashegimtareve te pales shitese per rivendikim te pasurise. A mund te hap sot nje gjyq per vertetimin gjyqesor te faktit me objekt parashkrimin fitues? Jemi para parashkrimit fitues me titull ne kete rast apo pa titull? Cilat do te jene palet e paditura? Duke qene se te gjitha faturat e dritave dhe ujit jane akoma ne emer te gjyshit tim edhe pse ka nderruar jete prej 25 vitesh nqs e fitoj pronesine pronar do te jete vetem babai im apo edhe vellezerit dhe motrat e tij si trashegimtare te gjyshit? Persa i perket faktit qe banesa eshte akoma e papjestuar perben problem ne hapjen e gjyqit per parashkrim fitues? Lexova ne faqen tuaj qe ka ndryshuar ligji per kadastren dhe duhet te ezaurosh njehere fazen administrative per njohjen e pronesise pastaj te kalosh ne fazen gjyqesore ,a vlen kjo edhe per rastin tim? Faleminderit paraprakisht.


Qytetari: A. R. Data: 30 June , 2020, Kategoria: Ceshtje pronesie.

One response to “Parashkrimi fitues”

  1. 1

    Përshëndetje,

    Babai juaj ka të drejtën të hapë një proces gjyqësor pranë Gjykatës Civile, me objekt jo vërtetim fakti, por fitim i pronësisë me parashkrim fitues. Shkresa e thjeshtë që është lidhur nuk plotëson asnjë kriter, pasi sipas ligjit personi që ka kaluar pronësinë nuk ka qenë as pronar i ligjshëm në momentin e nënshkrimit të shkresës. Në këto kushte, dhe duke pasur parasysh që afati për të kërkuar parashkrimin fitues pa titull është përmbushur, ju keni të drejtë të kërkoni fitimin e pronësisë me parashkrim fitues pa titull, në bazë të nenit 169 të K.Civil. Shkresa ju shërben si provë për të vërtetuar momentin e fillimit të posedimit. Në cilësinë e të paditurit në proces, do të sillen të gjithë personat të cilët rezultojnë si pronar.

    Duke qene se te gjitha faturat e dritave dhe ujit jane akoma ne emer te gjyshit tim edhe pse ka nderruar jete prej 25 vitesh nqs e fitoj pronesine pronar do te jete vetem babai im apo edhe vellezerit dhe motrat e tij si trashegimtare te gjyshit?
    Nëse posedimin faktik gjatë kësaj periudhe e ka pasur babai juaj, atëherë është ai që do të kërkojë pronësinë. Megjithatë, problemi në gjykatë do të jetë provueshmëria e posedimit.

    Lexova ne faqen tuaj qe ka ndryshuar ligji per kadastren dhe duhet te ezaurosh njehere fazen administrative per njohjen e pronesise pastaj te kalosh ne fazen gjyqesore ,a vlen kjo edhe per rastin tim?
    Fitimi i pronësisë më parashkrim fitues rregullohet nga Kodi Civil dhe nuk ka asnë procedurë administrative që duhet të ndiqni në rastin tuaj. Ligji i ri, rregullon pronësinë dhe posedimin e tokave bujqësore për familjet bujqësore që duhet të kishin përfituar nga ligji për tokën.
    Megjithatë, pavarësisht nga sa më sipër, duhet t’ju sqaroj se fitimi i pronësisë me parashkrim fitues zbatohet vetëm në rastet kur nuk ka asnjë mundësi tjetër ligjore për të fituar pronësinë, pra kontratë, akt administrativ etj.. Gjykata do të kërkojë që t’i sqaroni se përse nuk ka mundësi tjetër për të zgjidhur pronësinë e banesës me personat në emër të të cilëve është regjistruar.

    Faleminderit,

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet