Ndermjetesim per te mitur

Pershendetje,
Jam nena e nje djali qe eshte akuzuar per vjedhje dhe kam dëgjuar qe mund te përfitoj ndërmjetësim. A mund te me shpjegoni çfarë eshte dhe si mund te perfitoj? Flm


Qytetari: I. F. Data: 22 February , 2021, Kategoria: Ndermjetesim, Penale.

One response to “Ndermjetesim per te mitur”

  1. Eniana Qarri Eniana Qarri says:

    Çfarë është ndërmjetësimi në rastin e të miturit në konflikt me ligjin?

    Për çështjet penale ku janë të përfshirë të mitur, ndërmjetësimi zbatohet sipas parashikimeve në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur.
    Ndërmjetësimi është procesi i zgjidhjes jashtëgjyqësisht dhe përmes dialogut mes një të mituri që ka kryer veprën penale dhe viktimës, i cili realizohet nga një person i tretë asnjanës (ndërmjetësi) dhe synon të zgjidhë mosmarrëveshjen mes tyre dhe pasojat që vijnë nga vepra penale, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet midis tyre, pavarësisht nëse zbatohet ose jo si masë shmangieje
    Në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, ndërmjetësimi është parashikuar edhe si masë alternative për shmangien nga ndjekja penale e të miturit në konflikt me ligjin që do të thotë që në rast se prokurori vendos këtë masë atëherë ai (prokurori) merr vendimin për mosfillimin e çështjes penale ose pushimin e saj dhe lidh një marrëveshje me të miturin për zhvillimin e procedurës së ndërmjetësimit. Ky vendim i njoftohet viktimës, të miturit, mbrojtësit të të miturit dhe përfaqësuesit ligjor të tij.
    Ndërmjetësimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sipas rastit, mund të zbatohet si masë shmangieje por edhe si një mundësi që çon në përmirësimin e marrëdhënieve midis të miturit autor dhe viktimës së veprës penale. Pra, ndërmjetësimi edhe kur nuk ka efekte të tilla që sjellin shmangien nga ndjekja penale mund të zbatohet për të përmirësuar marrëdhëniet midis viktimës dhe të aktuzuarit si një proces më vete që iniciohet me dëshirën dhe zgjedhjen e lirë të palëve. Megjithatë, mundësia e zbatimit të ndërmjetësimit si një masë shmangieje nga ndjekja penale do të thotë që realizimi me sukses i procedurës së ndërmjetësimit do të kishte si pasojë mosfillimin e procedimit penal, pezullimin apo pushimin e tij duke sjellë si rezultat mungesën e përgjegjësisë penale të të miturit të akuzuar për kryerjen e veprës penale, gjë që është mundësia më e mirë që ai të riintegrohet dhe rehabilitohet nga pikëpamja sociale.

    Si mund të përfitoj një i mitur në konflikt me ligjin?

    I mituri hyn në konflikt me ligjin kur ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale deri nën moshën 18 vjeç, ndaj të cilit ekziston një dyshim i arsyeshëm se ka kryer një vepër penale dhe është marrë si i pandehur dhe/ose është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e veprës penale. Të miturit që kanë mbushur moshën e përgjegjësisë penale, 14 vjeç në rastet e kryerjes së një krimi dhe 16 vjeç në rastin e kryerjes së një kundërvajtjeje penale, dhe që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç do t’i nënshtrohen procedimit penal përmes sistemit të drejtësisë penale për të mitur. Fëmijët që nuk kanë mbushur moshën e përgjegjësisë penale (nën 14 vjeç) nuk i nënshtrohen përgjegjësisë penale dhe menaxhimi i rastit të të miturit bëhet vetëm nëpërmjet rrugës civile.
    Në rast se fëmija juaj ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale dhe i nënshtrohet procedimit penal atëherë ndërmjetësimi mund të zbatohet si masë shmangieje nga prokurori.
    Ndërmjetësimi, si masë shmangieje, mund të propozohet nga prokurori gjatë hetimit nëse vlerëson se kjo alternativë është më e përshtatshme, duke pasur parasysh natyrën e veprës penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, historinë e të miturit, mundësinë e kthimit të raporteve normale mes të miturit dhe palës së dëmtuar, mundësinë e zvogëlimit të dëmit të palës së dëmtuar, mundësinë e rehabilitimit të të miturit dhe riintegrimin e tij në shoqëri. Në rast se, pas propozimit të prokurorit palët (i mituri dhe viktima) bien dakort të zgjidhin çështjen me ndërmjetësim, atëherë procesi gjyqësor apo hetimor pezullohet për 45 ditë për të vijuar procedurën e ndërmjetësimit jashtëgjyqësisht. Nëse marrëveshja e ndërmjetësimit arrihet, prokurori/gjyqtari vendos pushimin e çështjes. Nëse marrëveshja e ndërmjetësimit nuk arrihet me kalimin e 45 ditëve, pezullimi bie dhe vazhdon hetimi/gjykimi i çështjes.

    Masa e shmangies ndaj të miturit në konflikt me ligjin mund të kërkohet edhe nga i mituri në konflikt me ligjin ose përfaqësuesi i tij ligjor. Në këtë rast, i mituri në konflikt me ligjin ose përfaqësuesi i tij, me kërkesë të arsyetuar, i kërkon prokurorit zbatimin e masës së shmangies dhe ky i fundit me vendim të arsyetuar vendos për zbatimin ose jo të masës së shmangies. Në rast se prokurori refuzon kërkesën për zbatimin e masës së shmangies, i mituri në konflikt me ligjin ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë që të kërkojë zbatimin e masës së shmangies nga ndjekja penale në gjykatë brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit për vendimin e refuzimit.

    Zbatimi i masës së shmangies mund të vendoset, sipas rastit, edhe nga gjyqtari gjatë gjykimit kur ai vetë vlerëson se kjo alternativë është më e përshtatshme ose me kërkesë të arsyetuar të palëve, punonjësit social ose psikologut. Në këtë rast gjyqtari mund të vendosë kthimin e çështjes prokurorit për të proceduar me zbatimin e masës së shmangies. Para marrjes së këtij vendimi, gjykata dëgjon të miturin dhe merr pëlqimin e tij.

    Ndërmjetësimi si procedurë jashtëgjyqësore zhvillohet nën drejtimin e një personi të tretë që është ndërmjetësi i licencuar dhe zhvillohet vetëm nëse ekziston pëlqimi i lirë (me shkrim) për ndërmjetësim i shprehur si nga i mituri i akuzuar për veprën penale dhe nga pala e dëmtuar dhe pjesëmarrjes së detyruar të tyre. Para marrjes së pëlqimit, të miturit i sigurohet mundësia e këshillimit dhe ndihmës ligjore, me qëllim që të kuptojë masën e propozuar të shmangies dhe nëse ajo është e përshtatshme dhe e pranueshme prej tij. Gjatë negocimit të marrëveshjes për marrjen e masës së shmangies, i mituri ndihmohet nga mbrojtësi. Marrëveshja nënshkruhet nga i mituri dhe mbrojtësi i tij.

    Para zbatimit të vendimit për masën e shmangies nga ndjekja penale, i mituri, mbrojtësi i tij dhe, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor kanë të drejtë të kenë informacion të detajuar mbi thelbin e masës së shmangies nga ndjekja penale, kohëzgjatjen e saj, kushtet dhe mënyrën e zbatimit, si dhe pasojat për mospërmbushjen e masave të shmangies.
    Të miturit i shpjegohet gojarisht dhe me shkrim, ose në format e duhura të komunikimit, sipas aftësive të veçanta të të miturit, se pranimi i masës së shmangies nga ndjekja penale është vullnetar dhe se i mituri ka të drejtë të heqë dorë prej masës në çdo fazë.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet