Ndermjetesim per ceshtje pronesie

Pershendetje,

Kam nje çeshtje pronësie me vellain dhe dua te di nese mund te zgjidhet me ndermjetesim dhe sa kushton? Faleminderit,


Qytetari: A. X. Data: 18 February , 2021, Kategoria: Ndermjetesim.

One response to “Ndermjetesim per ceshtje pronesie”

  1. Eniana Qarri Eniana Qarri says:

    Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin. Pra, të dy palët duhet të jenë dakord për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes së tyre dhe mund ti drejtohen ndërmjetësit me vullnetin e tyre të lirë. Një listë e përditësuar e ndërmjetësve të licencuar gjendet në linkun: http://www.gjykatatirana.gov.al/previewdoc.php?file_id=734

    Në nenin 4 pika 2 të ligjit nr.10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar, parashikohet se ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare, pronësisë intelektuale, të drejtave të konsumatorëve, si dhe të mosmarrëveshjeve midis organeve të administratës publike dhe subjekteve private. Çështjet e pronësisë janë mosmarrëveshje në fushën e të drejtës civile.
    Nëse ju keni vënë në lëvizje gjykatën, atëherë gjyqtarët kanë detyrimin për t’ju njoftuar, udhëzuar dhe informuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes në çdo fazë të gjykimit. Nëse palët pranojnë zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes atëherë gjyqtari e kalon çështjen për ndërmjetësim (neni 158/ç, pika 2, e Kodit të Procedurës Civile/KPrC). Në rast të paraqitjes së aktmarrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim, gjykata vendos miratimin e saj, nëse kjo e fundit nuk është në kundërshtim me ligjin. Në këtë rast gjykata vendos pezullimin e gjykimit për 30 ditë dhe gjykimi i çështjes rifillon kur marrëveshja për ndërmjetësim nuk arrihet ose kur është plotësuar afati prej 30 ditësh (neni 297 ti KPrC).
    Për sa i përket tarifave, aktualisht ato janë të përcaktuara në Vendimin nr. 10, datë 23/11/2013 “Për miratimin e manualit “Për tarifat e shpërblimit për punën e ndërmjetësit dhe shpenzimet e kryera si rezultat i veprimtarisë së ndërmjetësimit” të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve. Për çështjet civile, në Vendim është parashikuar të aplikohet tarifë shërbimi bazuar në vlerën e objektit të mosmarrëveshjes, si më poshtë vijon;

    Nr/ Vlera e objektit të mosmarrëveshjes (në LEK)/ Deri në /Tarifa e Shërbimit (LEK) pa TVSH
    1. Deri ne 500,000 = 18,000
    3. 500,000 – 1,000,000 = 35,000
    4. 1,000,000 – 5,000,000 = 50,000
    6. 5,000,000 – 10,000,000 = 100,000
    7. 10,000,000 – 25,000,000 = 200,000
    8. 25,000,000 – 50,000,000 = 400,000
    9. 50,000,000 – 100,000,000 = 600,000
    10. 100,000,000 – e lart = më shumë se 800,000

    Gjithashtu, Vendimi parashikon edhe tarifën e regjistrimit dhe administrimit të çështjes që aplikohet për të gjitha llojet e çështjeve të ndërmjetësimit, në masën minimale 5000 lekë (pesë mijë lekë) dhe mund të rritet vetëm me 1,000 lekë (një mijë lekë) për çdo palë në rast se regjistrohen më shumë se dy.

    Së shpejti pritet të miratohet udhëzimi i përbashkët i Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave “Për tarifat e shpërblimit të ndërmjetësve” i cili do të përcaktoj edhe tarifat e reja të këtij procesi. Deri në miratimit e udhëzimit të përbashkët do ti referohemi tarifave të sipërpërmendura.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet