Mbi hipotekën e prones

Mirëdita,

Gjyshi ka lënë testament në vitin 1970 në favor të 4 fëmijëve të vet, dy nga të cilët nuk jetojnë më. Testamenti eshte hapur pa njoftuar askënd dhe pa u regjistruar në hipotekë. Njëri nga përfituesit e testamentit ka paraqitur dosjen në hipoteke per te regjistruar pjesen që i përket. Hipoteka përgjigjet se duhen firmat e gjithë pasardhësve dhe planimetria e shtëpisë rreth 500 m2.
Nipat që kanë zaptuar shtëpinë arbitrarisht dhe pa asnjë titull pronësie, jo vetëm nuk janë dakort dhe nuk japin firmën për regjistrimin e pronës, por nuk lejojnë gjeometrin të kryejë matjen dhe përpilimin e planimetrisë sipas rregullave teknike. Shtëpia figuron në emër të gjyshit dhe nuk mund të kryhet asnjë veprim (tip kontrata dritash apo uji).
Kërkojmë forma dhe menyra ligjore për të zgjidhur problemin dhe pjesetuar pronën me rigorozitet sipas vullnetit të gjyshit, pa lëvizur asnjë presje.
Ju falenderojmë paraprakisht dhe mbetemi në pritje të këshillave dhe sugjerimeve tuaja. Me respekt.


Qytetari: b. d. Data: 25 April , 2020, Kategoria: Ceshtje pronesie.

One response to “Mbi hipotekën e prones”

  1. Përshendetje,

    Ne nenin 354 te Kodit Civil percaktohet se: “Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore bëhet me marrëveshje midis trashëgimtarëve, e cila miratohet me akt noterial. Nëse trashëgimtarët nuk bien dakord për pjesëtimin e pasurisë trashëgimore, noteri, mbi bazën e parimit të paanësisë, si dhe duke mbajtur në konsideratë rregullat e pjesëtimit të pasurisë, sipas Kodit Civil, i ofron trashëgimtarëve mundësitë ligjore për pjesëtimin e pasurisë trashëgimore dhe arritjen e një marrëveshjeje midis tyre. Në këtë rast noteri i sqaron ata për të drejtat dhe detyrat, si dhe i paralajmëron për pasojat që vijnë nga nënshkrimi i marrëveshjes, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre nga mosdijenia e ligjit.
    Kur trashëgimtarët nuk bien dakord edhe me zgjidhjet e ofruara nga noteri, pjesëtimi i pasurisë trashëgimore bëhet nga gjykata kompetente për shqyrtimin e padive që rrjedhin nga trashëgimia.”

    Per sa me siper, ju mund ta regjistroni pasurinë pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, pasi të keni dakortësuar për pjestimin e pasurisë me akt noterial.
    Në rast se trashëgimtaret testamentare nuk bien dakort, atëherë duhet t’i drejtoheni gjykatës kompetente për zgjidhjen e cështjes. Pasi të këni zgjidhur këtë cështje, në rast se nipërit nuk e dorëzojnë me vullnetin e tyre pjesën që ju takon, ju mund ti drejtoheni gjykatës me ane te një kërkes padie, me objekt lirim dhe dorëzim sendi.

    Faleminderit.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet