Përshëndetje!
Ju falenderojmë për punën që bëni. Më lejoni t’ju pyes, çfarë nënkupton konkretisht ligji për shtetësinë me “lidhjen familjare në vijë të drejtë deri në 3 shkallë”. Rasti konkret, një kosovar X ka xhaxhain me shtetësi shqiptare. A mundet ta fitojë nënë shtetësinë shqiptare shtetasi X sipas origjinës?
Ju faleminderit!
One Response
Përshëndetje,
Për mënyrën e fitimit të shtetësisë, neni 6 i ligjit Nr.113/2020, shprehet se shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë e kërkuesit me të paralindurin.
Deri në shkallën e tretë përfshihet dhe xhaxhai, ky përfundim bazohet dhe në Vendimin Nr.219/2008, nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i cili shprehet si më poshtë:
“Shkalla e afërsisë në vijë të drejtë llogaritet sipas numrit të lindjeve apo gjeneratore të cilat përfaqësojnë një shkallë të thjeshtë, ku secilës lindje i korrespondon një shkallë farefisnie. Numërimi fillon nga personi që konsiderohet i paralinduri në raport me tjetrin, i cili nuk futet në llogaritje pasi konsiderohet trung, por llogariten numri i lindjeve që vijojnë pas tij. Pra, për të llogaritur afërsinë, llogariten lindjet pa përfshirë çiftin që konsiderohet paraardhës, pasi këta formojnë trungun. Kështu, ati dhe fëmija i tij janë gjini në vijë të drejtë të shkallës së parë.
Vëllezërit ndërmjet tyre janë gjini në shkallë të dytë, pasi në secilën nga linjat ku ndodhen, ka nga një gjeneratë në raport me paraardhësin e tyre të përbashkët, që është ati/nëna i/e tyre. Ungji dhe nipi janë gjini e shkallës së tretë (1 lindje në linjën e ungjit plus 2 lindje në linjën e nipit). Shkalla e gjinisë ndërmjet fëmijëve të motrave, duke qenë se secili në linjën e tij ka dy gjenerata (breza) deri tek trungu i përbashkët, është gjini e shkallës së katërt.”
Ju faleminderit!