Leje qendrimi per ne Shqiperi

Pershendetje,

Jam nje shtetas kosovar, i cili jam martuar dhe kam bere celebrimin me shtetase shqiptare ne Shqiperi.  Mbaj mbiemrin dhe adresen e nuses.  Jetoj e punoj ne Shqiperi, paguaj siguracione, drita, uje me rregull. Pyetja ime, a kam te drejte per leje qendrimi? Ku duhet te drejtohem dhe si duhet te veproj?
Kam qe ne 2018 qe trokas ne dyert e instancave bashkiake dhe shteterore dhe asnje nuk me jep ndonje udhezim. Faleminderit


Qytetari: A. (. Data: 22 May , 2020, Kategoria: Uncategorized.

One response to “Leje qendrimi per ne Shqiperi”

  1. Pershendetje,
    Juve keni te drejte jo vetem te perfitoni lejen e qendrimit ne territorin e Republikes se shqiperise, por edhe te fitoni shtetsine shqiptare (nese plotesoni kriteret ligjore). Shtetsia shqiptare fitohet sipas ligjit “Per Shtetesine”. Ju sqaroj me poshte per secilin aplikim.

    Per sa i perket “Lejes se Qendrimit”, ju sqaroj si me poshte:

    Shtetasit e huaj, me qëndrim të rregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund te bëjnë një kërkese (ne portalin e- ALbania) për t’u pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Pas konfirmimit të plotësimit të kushteve dhe dokumentacionit për të aplikuar për leje qëndrimi nëpërmjet këtij shërbimi, i huaji njoftohet për t’u paraqitur personalisht, pranë autoriteteve rajonale përgjegjëse për kufirin dhe migracionin në territorin ku ai ka vendosur vendbanimin.

    Për të aplikuar për lejen e parë të qëndrimit në Shqipëri, forma e duhur e aplikimit varet nga motivi për të qëndruar në Shqipëri:
    – Për të punuar;
    – Për t’u bashkuar me familjen;
    – Për të studiuar;
    – Për motive të tjera të justifikuara me dokumentet;
    – Për mbrojtje ndërkombëtare.

    Kërkesa për leje qëndrimi pranë autoriteteve rajonale përgjegjëse për kufirin dhe migracionin, duhet të bëhet brenda 30 ditëve pas hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke u siguruar që:
    – Plotëson kërkesat ligjore për lejen e qëndrimit për të cilën po aplikon;
    – Ka të gjitha dokumentet e nevojshme, dokumentet nga vendi i origjinës i ka të përkthyera dhe legalizuara.
    Dokumentacionin e nevojshme mund ta aksesoni ketu: https://ealbania.al/eAlbaniaServices/DPPSH/9628/leje_qendrimi_docs.pdf

    Hapat e procedurës
    – Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për leje qëndrimi”;
    – Klikoni butonin” Përdor”;
    – Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular;
    – Ngarkoni në formatin PDF të gjithë dokumentet e listuara në fomular;
    – Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit;
    – Punonjësi i Policisë së Shtetit njoftohet elektronikisht për mbërritjen e dosjes se re dhe nis të verifikojë saktësinë e dokumenteve;
    – Nëse ka pasaktësi ose mungesë dokumentesh, punonjësi i DVKM-se njofton aplikantin për pasaktësitë dhe e udhëzon për të riplotësuar praktikën e aplikimit;
    – Nëse dokumentet janë të plota, qytetari njoftohet për orën dhe datën e paraqitjes në zyrën vendore të Migracionit, për të dorëzuar fizikisht dokumentet origjinale;
    – Tërheqja e lejes së qëndrimit bëhet brenda 30 ditëve në të njëjtën zyre vendore ku paraqitet kërkesa dhe i huaji provon identitetin e tij.
    Refuzimi i kërkesës për leje qëndrimi apo pranimi dhe njoftimi për paraqitjen në zyrën e migracionit bëhet brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Nëse për arsye objektive ky afat duhet të zgjatet, i huaji do të njoftohet nga Zyra Vendore e Migracionit përkatës.
    Periudha e vlefshmërisë
    3-6 muaj; 1- vjeçare; 2- vjeçare; 3- vjeçare; 5- vjeçare; e përhershme.
    Per me shume vizitoni faqen: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9628
    Ose mund te komunikoni ne adresat elektronike ose tel. me institucionet pergjegjese te Zyres se Migracionit.

    Per sa i perket “Shtetesise”, ju sqaroj si me poshte:

    Shtetesia shqiptare fitohet ne tre menyra:
    -Me lindje
    -Me natyralizim
    -Me biresim.
    Ne rastin tuaj shtetesia shqiptare fitohet nepermjet natyralizimit, duke plotesuar kushtet e parshikuara ne ligj si me poshte:
    “I huaji që është i martuar me një shtetas shqiptar prej jo me pak se 3 vjetësh, në rast se dëshiron, mund të fitoje shtetësinë shqiptare me natyralizim (edhe në qofte se nuk plotëson kushtet e nenit 9, pikat 2 dhe 5.) në këtë rast i huaji duhet të kete banuar, në mënyrë të vazhdueshme dhe të ligjshme, në territorin e Republikës se Shqipërisë të paktën një vit”.

    Pra ne rastin tuaj, qe jeni martuar me nje shtetase shqiptare nese deshironi mund te perfitoni shtetsine shqiptare, duke plotesuar dy kushte, kryesore te cilat jane “qenia ne martese per me shume se 3 vjet”, dhe “te kesh jetuar ne menyre te vazhdueshme ne territorin e shqiperise prej te pakten nje viti”.

    Gjithashtu personi i cili paraqet kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare me natyralizim duhet te plotesoj edhe kushtet e mëposhtme:

    1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç.
    2. Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë , në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet. (ne rastin tuaj jo e domosdoshme, sic u shpjegua me lart)
    3.Të kete banesë dhe të disponoje të ardhura të mjaftueshme.
    4. Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.
    Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike.
    5. Të ketë njohuri, të paktën fillestare, të gjuhës shqipe;(ne rastin tuaj jo e domosdoshme, sic u shpjegua me lart)
    6. Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë ;
    7. Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.

    Në rast se i huaji vërteton se është me origjinë shqiptare deri në dy shkallë, qoftë edhe nga njëri prind, koha e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë , e përmendur në pikën 2 të këtij neni, duhet të jetë të paktën 3 vjet. Të gjitha kushtet e tjera për fitimin e shtetësisë shqiptare të treguara në këtë nen, mbeten të paprekura.

    Kërkesa për fitimin, e shtetësise shqiptare paraqitet në organet e Ministrisë së Brendshme të vendbanimit të personit. Ministria e Brendshme brenda 6 muajve nga dita e paraqitjes se kërkesës se individit, në baze te kushteve të përcaktuara në ligj për fitimin, shtetësisë shqiptare, vendos për paraqitjen ose jo të kërkesës për fitimin e shtetësisë pranë Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës, brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës së Ministrisë së Brendshme, nxjerr dekretin përkatës. Dekreti botohet në Fletoren Zyrtare. Personit që ka fituar shtetësinë shqiptare i jepet dokumenti përkatës. Personi që fiton shtetësinë shqiptare me natyralizim betohet para nëpunësit të zyrës së regjistrimit të shtetasve për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Shtetësia shqiptare quhet efektivisht e fituar që nga dita e bërjes së betimit.

    Faleminderit

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet