Pershendetje! Jam nga qyteti i Fierit, momentalisht jetoj me familjen. Prej 6 muajsh jam i papune dhe prinderit po ashtu. Jam diplomuar per ing. Ndertimi, mosha 27 vjec. Banesa ku jetojme eshte ne pronesi te prinderve dhe ka nje hapsire 65 m2 1+1.
Doja te dija nese mund te perfitoj prej banesave sociale qe ofron Bashkia e Fierit, duke qene se normat tona te strehimit jane nen normalen? Sa mundesi kam te kualifikohem? Faleminderit!
One Response
Pershendetje,
Ne nenin 13 te ligjit nr. 22/2018 datë 03.05.2018 “Për strehimin social”, percaktohen kushtet për fitimin e statusit të përfituesit nga programet sociale të strehimit. Sipas ketij neni, statusin e përfituesit nga programet sociale, sipas këtij ligji, e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët në momentin e aplikimit (a) nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
Ky parashikim zbatohet vetëm për ato individë/familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të nenit 3 të këtij ligji (konsultohu me nenin 3 te ligjit per te kuptuar se cfare konsiderohen te ardhura te pamjaftueshme).
Pra, kriteret perzgjedhese bazohen ne kushtet e strehimit, kushtet ekonomike, kushtet familjare dhe ato sociale. Keto kritere dhe kushte aplikohen per ato programe sociale te strehimit te cilat ofrohen nga Bashkia Fier.
Ne lidhje me proceduren e aplikimit, ju bejme me dije se përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të Bashkise Fier.
Nese beni pjese ne kategorine e Individit/familjes pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, per te aplikuar, paraqisni vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore për këta aplikantë.
Ligji 22/2018 “Per Strehimin Social” eshte botuar ne Fletoren Zyrtare nr. 79, viti 2018 dhe per me shume informacion mund ta aksesoni ne linkun ne vijim: https://qbz.gov.al/eli/fz/2018/79/63abe2a7-88f8-4978-912b-681593b9e996
Nese gjate konsultimit me ligjin, ju lind ndonje pyetje, ju mund te shkruani serish ne platforme ose mund te telefononi ne Linjen e Gjelber per ndihme ligjore falas, nga e hena ne te premte, ora 08:00-14:00, ne nr.tel. 0800 10 10.
Faleminderit,