Kerkese per divorc dhe sqarim situate

Pershendetje,
Kam 1 vit qe jam ndarë moralisht, jo ligjerisht nga bashkeshorti im, pas disa debateve te njepasnjeshme dhe per faktin se babai i tij (vjehrri im) nderhynte gjithmone ne marredhenien tone, me ushtronte dhune psikologjike.
Pas shume ngjarjesh te ndodhura brenda nje viti martese gjate jeteses ne shtepine e tyre, nje dite burri im, bashke me vjehrrin tim, shkuan te shikonin nje ndeshje femrash (njera nga gocat lojtare eshte banore ne zonen ku jeton burri dhe familja e tij). Nderkohe qe kurre nuk kane shkuar ne stadium per te pare ndeshje te tjera edhe me te rendesishme. Menyra se si me injoruan dhe qe une po kthehesha nga puna e lodhur, bera pak debat per rastin ne fjale dhe kur ato u larguan, une nga nervat dhe xhelozia mora makinen dhe shkova tek shtepia e prinderve te mi dhe qe nga ajo dite ne nuk jemi me bashke. Ai me perndjek, me premton qe do gjejme zgjidhje, pastaj me ofendon dhe zhduket. Gjithmone kur atij i bie ne mendje per mua me shkruan, kur nuk i nevojiten me ose nuk i bindem me thote te zhdukem. Me mori dhe makinen qe me kishte dhuruar, ma mori nderkohe qe ishte e parkuar dhe une isha ne pune (por ne fakt makina nuk ishte ne emrin tim). Ai ka qenë i fejuar me perpara dhe fotot me personin qe ka pasur perpara nuk u fshine asnjehere nga familja e tij dhe e permendte shume shpesh. Burri ma le fajin mua per cdo gje dhe asnjehere nuk eshte konsultuar ose diskutuar me mua per dicka.
Si te veproj sepse me ka lodhur shume psikologjikisht kjo situatë? Dua te me vendoset e drejta dhe te bej te veproj dicka. Shume faleminderit per ndihmen tuaj,


Qytetari: E. G. Data: 13 October , 2020, Kategoria: Familjare.

One response to “Kerkese per divorc dhe sqarim situate”

  1. 3

    Pershendetje,
    Nese jetesa juaj e përbashkët eshte bëre e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj, duke mos perfaqesuar me unitetin bashkeshortor dhe familjar, per te gjitha arsyet qe ju permendet me lart, atehere ju duhet te kerkoni zgjidhjen e marteses. Fillimisht do t’ju keshilloja te shikoni mundësinë e pajtimit, kete mundesi e ofron e dhe gjykata në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, ku gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët.

    Zgjidhja e martesës mund te behet me kërkesën tuaj. Kjo formë e zgjidhjes së martesës mund të zbatohet kur paraqiten shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kodin e Familjes (neni 132 i Kodit te Familjes). Shkaqet të cilat justifikojnë ngritjen e padisë për zgjidhjen e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort janë:

    Grindjet e vazhdueshme;
    Keqtrajtimet;
    Fyerjet e rënda;
    Shkelja e besnikërisë bashkëshortore;
    Sëmundja mendore e pashërueshme;
    Dënimi penal i rëndë i bashkëshortit;
    Çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve martesore;

    Zgjidhja e martesës mund te realizohet edhe me pëlqimin tuaj reciprok (bashkeshorteve), ku bazohet në një marrëveshje reciproke, të përbashkë, e cila ka për qëllim dhënien fund të martesës që ekziston. Zgjidhja e martesës me pëlqimin reciprok të bashkëshortëve, rregullohet nga nenet 125-128 të Kodit të Familjes së Republikës së Shqipërisë. Nga parashikimet e ketyre dispozitave percaktohet se si procedohet nepermjet zgjidhjes së martesës me pëlqimin e bashkëshortëve. Së pari, e gjithë procedura gjyqësore fillon me paraqitjen e një kërkese të përbashkët të të dy bashkëshortëve, të cilët përcaktojnë se duan që të zgjidhin martesën e tyre. Kjo kërkesë mund të paraqitet në gjykatë ose nga bashkëshortët personalisht ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë. Së dyti me kërkesën për zgjidhjen e martesës, bashkëshortët duhet t’i paraqesin gjykatës edhe një projektmarrëveshje në të cilën të jetë parashikuar mënyra e rregullimit të pasojave që vijnë si rrjedhojë e zgjidhjes së martesës. Së treti, gjykata ka për detyrë të shqyrtojë kërkesën e dy bashkëshortëve. Nëse gjykata bindet për sa më sipër, vendos zgjidhjen e martesës dhe në të njëjtin vendim, miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.

    Ne cdo rast, ju duhet edhe te rregulloni pasojat e zgjidhje se marteses nese keni femije apo pasuri te perbashket:
    – Lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të mitur dhe përcaktimin e të ardhurave për rritjen dhe edukimin e tyre.
    – Kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar.
    – Rregullimin e marrëdhënieve pasurore midis bashkëshortëve.

    Faleminderit

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet