Pershendetje,
Me moren ne drejtorine e policise per 0.2 gram kokaine qe kisha me vehte. Kam firmos disa fleta qe me nxorren si perdorues. Dua te di nese me duhet nje avokat per te ndjekur ceshtjen apo eshte mbyllur ceshtja aty dhe nuk kam nevoje per nje avokat? Ju lutem me jepni nje sqarim. Faleminderit,
2 Responses
Pershendetje
Per te verifikuar nese ceshtja eshte nen hetim ose jo, ju mund te kerkoni informacion prane sekretarise se Prokurorise se Rrethit Gjyqesore ku ju banoni.
Ne cdo rast, ju keni te drejten te perfaqesoheni nga nje avokat i siguruar nga shteti ose te kontraktoni vete nje te tille.
Juristet e platformes nuk kane akses ne sistemet e Policise, Prokurorise apo Gjykates per t’ju informuar mbi statusin e procedimit tuaj. Faleminderit
Përshëndetje,
Në lidhje me sa ju parashtroni fillimisht ju bëj me dije se Kodi ynë Penal në mënyrë të qartë ka përjashtuar nga përgjegjësia penale të gjithë përdoruesit e lëndës narkotike duke mos e kriminalizuar këtë lloj sjellje e pavarësisht se nuk është në përputhje me moralin dhe e dëmshme për shëndetin. Kjo del nga vetë formulimi i nenit 283/1 të Kodit Penal ku, mbasi rendit format se si kryhet kjo vepër nga ana objektive, përcakton se: “….përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope”. Megjithëse përdorimi i lëndës narkotike nuk është vepër penale ligjvënësi mbajtjen për arsye të përdorimit personal e ka kufizuar në doza të vogla. Pra, përjashtimi nga përgjegjësia penale i kërkon në mënyrë kumulative përdorimin vetjak dhe doza të vogla.
Në mungesë të një definicioni juridik të termit “doza të vogla” të përdorur nga legjislacioni, i është hapur rrugë interpretimit gjyqësor. Në vendimin unifikues nr.1, datë 27.03.2008 Gjykata e Lartë ka arritur në konkluzionin përgjithësues dhe njëkohësisht detyrues për gjykatat se: “Doza e vogël, në kuptimin ligjor të saj, konsiderohet jo ndarja fizike në disa të tilla, por sasia e lëndës apo substancës narkotike e psikotrope që ajo përmban si e tërë dhe që sipas ekspertëve vlerësohet si dozë e vogël”.
Përcaktimi i sasisë së perdorimit vetjak në mungese të një percaktimi nga një akt ligjor nga ana e ekspertit toksikologjik duhet të kryhet mbi bazën e një vlerësimi të dalë në bazë të një studimi të përgjithshëm të fenomenit të varësisë nga droga të një subjekti përdorues, ku të përcaktohen kufijtë maksimalë të dozës për përdorim ekskluzivisht personal për çdo substancë narkotike apo psikotrope.
Në çdo rast, eksperti duhet të përcaktojë për çdo lloj të lëndës narkotike:
a) dozën mesatare të vetme, e kuptuar si sasia e substancës aktive për çdo marrje të vetme, e aftë për të prodhuar tek një subjekt përdorues dhe dipendent efektin psikotrop apo narkotik;
b) frekuencën mesatare të përditshme të marrjes;
c) sasinë e substancës aktive të marrjes në mënyrë të përditshme;
d) fuqinë për të shkaktuar ndryshime të sjelljes dhe rënies së aftësive psikomotore,
dh) moshës dhe aftësive fizike të përdoruesit vetjak konkret.
Duke ju rikthyer rastit tuaj, pavarsisht se po hetoheni në gjendje të lirë, nga sa ju pretendoni doza është e vogël, por Organit të Prokurorisë do të duhet të thërrasë një ekspert për të përcaktuar të gjitha elementët e sipërcituar. Pas daljes së aktit të ekspertimit toksikologjik, organi procedues do të vlerësojë nëse jemi përpara dozës për përdorim vetjak e në këtë rast do të procedojë me kërkesën për pushimin e cështjes për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.
Ju keni të drejtë të interesoheni pranë Prokurorisë për të ditur të gjitha hallkat e hetimit. Nëse jeni person që nuk keni mundësi ekonomike për të përballuar një avokat, ju keni të drejtë që në referim të nenit 12 të ligjit nr.111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, të kërkoni një avokat falas. Informacionet dhe dokumentat e nevojshme për këtë shërbim mund t’i gjeni në faqen zyrtare, ndihmajuridike.gov.al dhe në linkun https://juristionline.al/kerko-ndihme-juridike-dytesore/
Faleminderit!