Informacion per programet sociale te strehimit – Kredite e buta dhe banesa sociale

Pershendetje,

Jam nje zonje e divorcuar prej 1 viti . Dua te aplikoj per te perfituar nje banese nga keto te bashkise, pasi nuk kam banese per te jetuar.  Te ardhurat e mia jane ato qe fitoj nga puna ne te zeze (nuk jam e siguruar) dhe pagesa qe marr ne lidhje me detyrimin ushqimor te femijes.  Ju lutem me informoni nese mund te aplikoje une per programet sociale te strehimit, edhe pse nuk jam e siguruar? Nese po, dua te di cfare dokumentash duhen dhe procedura qe duhet te ndjek per aplikim?
Faleminderit

Qytetari: S.L.
Data: 14 Prill 2020, Kategoria: Strehim

Përgjigje nga Avokatët tanë për pyetjen.

Juristi Online

2 Responses

  1. 2

    Pershendetje,

    Ju mund te drejtoheni ne Zyren e Strehimit ne Bashkine e qytetit ku ju banoni dhe punonjesit e zyres do ju asistojne ne plotesimin e kerkeses suaj per banese sociale ose nje nga programet e tjera te strehimit social qe interesoheni. Ky eshte hapi i pare qe ju duhet te ndiqni.

    Si kryefamiljare dhe grua e divorcuar me femije ju beni pjese ne kategorine e individeve te cilet kane perparesi ne perfitimin e strehimit social. Persa i perket dokumentacionit, plotesimi i tij duhet te behet vetem pasi te njoftoheni nga Bashkia se ju përmbushni kriteret për të përfituar nga një prej programeve të strehimit social. Plotesimi i dokumentacionit eshte hapi i dyte qe ju duhet te ndiqni.

    Ne qofte se ju jeni përzgjedhur për t`u trajtuar me një nga programet e strehimit, atehere do te duhet te plotësoni dokumentacionin sipas përcaktimeve ligjore:

    Lista e dokumentacionit të nevojshëm:

    Për të dhënat personale:
    – Çertifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare (shkarkohet në E-Albania);

    Për vertetimin e kushteve të banimit:
    – Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes (shkarkohet në E-Albania);
    – Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit (shkarkohet në E-Albania);
    – Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e rregjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim, për cdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
    – Akt verifikimi nga Bashkia për banesat në rrezik shembjeje; rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat I fatkeqsive natyrore; banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi Ilegalizimit;
    – Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të të vendimit të gjykatës;
    – Akt verifikimi nga struktura përgjegjëse e bashkisë për familjet rome/egjiptjane që banojnë në banesa individuale ose struktura, që nuk klasifikohen si banesë;

    Për vërtetimin e kushteve familjare:
    – Çertifikatë familjare (shkarkohet në E-Albania);
    – Vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për femijët;

    Për vërtetimin e kushteve sociale:
    – Vërtetimin e Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara,
    – Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit;
    – Dokument që vërteton që ka mbetur pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish pronë e subjekteve të të shpronësuar;
    – Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
    – Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Cështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të armatosura, të Shërbimit informative, të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve:
    – Urdhër mbrojtje apo urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje, lëshuar nga gjykata;
    – Vërtetim të marrë nga qendra kombëtare e shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje:
    – Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
    – Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome apo egjiptjane ose nese i perket grupimit LGBTI;
    – Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse për familjet e komunitetit rom;
    – Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
    – Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë- nënë.

    Për vertetimin e kushteve ekonomike:
    – Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t`i bashkëlidhen dokumente zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
    – Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore dhe e Sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve për të gjithë anëtarët e e vetëpunësuar të familjes (shkarkohet në E-Albania);
    – Vërtetimin nga zyra e ndihmës ekonomike e bashkisë për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar (sigurohet nga Bashkia;
    – Vërtetimin nga drejtoria rajonale e punësimit për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë (shkarkohet në E-Albania);
    – Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension (shkarkohet në E-Albania);

    Dokumentacioni i sipercituar, i cili mbahet apo përgatitet nga organet publike në vend, sigurohet nga vetë struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre, vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të, sipas formatit tip. Nëse aplikanti nuk e dorëzon apo refuzon të firmosë këtë deklaratë, struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore (Bashkia) shkarkohet nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit.

    Dokumentet duhet të dorëzohen pranë Zyrës së Strehimit brenda afateve ligjore te percaktuara nga Bashkia.

  2. 1

    Pershendetje,

    Statusin e përfituesit nga programet sociale, e gëzon çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura dhe që në momentin e aplikimit per nje nga programet e strehimit social, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
    a)nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
    b)kanë mbetur të pastrehë, si rezultat:
    i) i fatkeqësive natyrore;
    ii) i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë;
    iii) i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve;
    iv) nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë;
    c)familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.

    Nga sa parashtroni ne pyetjen tuaj, ju mund te aplikoni per te perfituar nje prej programeve te strehimit social. Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza.
    Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre, sipas formatit të miratuar, ne njësine e vetëqeverisjes vendore ku jeni te rregjistruar, për të përfituar nga programet e strehimit social.
    Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/ato individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. Bashkia ne kete faze njofton subjektet e përzgjedhur për plotësimin e dokumentacionit sipas përcaktimeve ne VKM nr. 384, date 12.06.2019;

    Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore për aplikantë te cilet nuk kane te ardhura.

Lini një Përgjigje