Dhunë në Familje

Pershendetje,
Kisha dy pyetje.

Isha me detyrim paraqitje, por sot prokuroria e mbylli hetimin, dhe me tha që do presësh datën kur do të thirreni nga gjykata.
Pyetja ime ishte sa dhe si mund të denohem, sepse  në letër e kam Dhunë në Familje, por çdo gjë është normalizuar dhe doja të dija cili është dënimi më i ulet që mund të më jepin, bazuar te  neni?
Pyetja e dytë është: A mund të iki jashtë shtetit dhe nqs me vjen data e gjykimit të mos paraqitem por të shkoj veq i pandehuri psh ?
Ose nqs paraqitem duhet të marr avokat apo s’ka nevoj?

Faliminderit!

Qytetari: E.H.
Data: 26 Shtator 2022, Kategoria: Penale

Përgjigje nga Avokatët tanë për pyetjen.

Juristi Online

One Response

  1. Përshëndetje,
    Si fillim, nëse i referohemi nenit 130/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shohim që figura e veprës penale Dhunë në Familje, nuk ka një minimum të dënimit, në këtë rast i referohemi nenit 32 të Kodit Penal, i cili sanksionon se dënimi me burgim për krimet jepet për një kohë nga pesë ditë deri në tridhjetë e pesë vjet, në rastin konkret minimum i dënimit është 5 ditë. Gjithashtu, Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, dhe nuk është e pranishme asnjë rrethanë rënduese ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse, e parashikuar kjo në neni 53 ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji.
    Disa nga rrethanat lehtësuese të cilat mund të ndihmojnë në uljen e dënimit, duke u bazuar te situata, janë të parashikuara në nenin 48 të Kodit Penal :
    b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;
    ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
    d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;
    dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
    e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë normalizuar.
    Nëse i referohemi pyetjes së dytë për daljen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, është e lejueshme nëse nuk është vendosur një nga llojet e masave shtrënguese të parashikuara në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale, masat shtrënguese janë:
    a) ndalimi i daljes jashtë shtetit;
    b) detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore;
    c) ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar;
    d) garancia pasurore;
    e) arresti në shtëpi;
    f) arresti në burg;
    g) shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik.
    Nëse i referohemi neni 233 të Kodit të Procedurës Penale, sanksionohet ndalimi i daljes jashtë shtetit:
    1. Me vendimin që urdhëron ndalimin e daljes jashtë shtetit gjyqtari urdhëron të pandehurin të mos largohet nga territori shtetëror shqiptar pa autorizimin e tij.
    2. Gjykata cakton detyrat e nevojshme për të siguruar zbatimin e vendimit dhe për të ndaluar përdorimin e pasaportës e të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.
    Në përgjigje të pyetjes së fundit, neni 6 i Kodit të Procedurës Penale sanksionon se:
    1. “I pandehuri ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit. Kur nuk ka mjete të mjaftueshme i sigurohet mbrojtja falas me avokat në rastet e parashikuara nga ky Kod.
    2. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin që t’i garantohen të drejtat procedurale dhe t’i ruhen interesat e tij ligjore.”
    Sipas parashikimeve të Kodit i pandehur ka të drejtën të zgjedh vetë avokatin, deri në dy të tillë.
    Kodi njeh dhe mbrojtjen e detyrueshme si mjetin e nevojshëm për të garantuar të drejtat për këta persona: është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç; nuk dëgjon dhe nuk flet; është me aftësi të kufizuara, që e pengojnë për të realizuar vetë të drejtën e mbrojtjes; është akuzuar për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënim në maksimum jo më pak se 15 vjet me burgim; akuzohet për një vepër penale, krim i organizuar; është deklaruar i ikur ose në mungesë, me vendim gjykate; merret në pyetje personi i arrestuar ose i ndaluar; për kontroll të vendeve, marrja e të dhënave ndaj personit nën hetim; në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.
    Faleminderit!

Lini një Përgjigje