Ceshtje pune me ndermjetesim

Pershendetje,

Kam nje çeshtje pune dhe shoqëria me te cilën jam ne konflikt me ka propozuar ndërmjetësimin. Ne fakt une nuk jam shume e bindur nese duhet ta pranoj zgjidhjen e ceshtjes me ndermjetesim apo te shkoj ne gjykate. Ju lutem, a mund te kem me shume informacion qe te me ndihmoje te marre nje vendim ne lidhje me kete ceshtje. Faleminderit,


Qytetari: S. D. Data: 22 February , 2021, Kategoria: Marredhenie pune, Ndermjetesim.

One response to “Ceshtje pune me ndermjetesim”

  1. Eniana Qarri Eniana Qarri says:

    Pershendetje,

    Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje (përfshirë në fushën e punës) me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin. Pra, të dy palët duhet të jenë dakord për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes së tyre dhe mund ti drejtohen ndërmjetësit me vullnetin e tyre të lirë. Një listë e përditësuar e ndërmjetësve të licencuar gjendet në linkun: http://www.gjykatatirana.gov.al/previewdoc.php?file_id=734

    Në rast se shoqëria me të cilën ju keni mosmarrëveshjen ju ka paraqitur një ftesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me anë të ndërmjetësimit atëherë, brenda 30 ditëve të paraqitjes së kërkesës, ju duhet të shprehni vullnetin tuaj për fillimin ose jo të procesit të ndërmjetësimit. Në rast se edhe ju jeni dakord për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes atëherë ju mund të zgjidhni një ose më shumë ndërmjetës nga lista e ndërmjetësve të licensuar.

    Ju, në bashkëpunim me ndërmjetësin/ndërmjetësit e përzgjedhur dhe në marrëveshje me palën tjetër, mund të përcaktoni kushtet, procedurën si dhe afatet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Gjatë zhvillimit të procesit të ndërmjetësimit, ndërmjetësi është i detyruar të trajtojë palët në mënyrë të barabartë, të jetë i drejtë dhe i paanshëm duke marrë në konsideratë dhe të gjitha rrethanat e çështjes.
    Nëse ju arrini në një marrëveshje me palën tjetër si rezultat i procesit të ndërmjetësimit atëherë, së bashku me ndërmjetësit, palët nënshkruajnë aktmarrëveshjen përkatëse, e cila është e detyrueshme dhe e ekzekutueshme në të njëjtën shkallë me vendimet e arbitrazhit. Aktmarrëveshja duhet të përmbajë detyrime të qarta dhe saktësisht të përcaktuara dhe në rast se nuk përmbushet nga palët, ngarkohet shërbimi përmbarimor për ekzekutimin e saj.

    Konform nenit 24/1 të ligjit për ndërmjetësimin, shpenzimet proceduriale për zhvillimin e ndërmjetësimit paguhen proporcionalisht nga palët, nëse ato nuk kanë parashikuar ndryshe me marrëveshje midis tyre.
    Nëse ju vlerësoni se, gjatë zhvillimit të procesit të ndërmjetësimit, nuk mund të arrini zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj me anë të ndërmjetësimit, në çdo kohë ju mund t’i drejtoheni gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj në rrugë gjyqësore.
    Zgjedhja e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve paraqet disa avantazhe si:
    • redukton konfliktet midis palëve dhe i orienton ato drejt një zgjidhje të përbashkët, të shpejtë dhe efektive;
    • përfshin palët në negociimin e marrëveshjes së tyre dhe asnjë vendimmarrje nuk u imponohet atyre;
    • ka kosto të ulët;
    • mundëson zgjidhjen e çështjes në një kohë të shkurtër;
    • shmang kalvarin e gjatë të pritjeve në dyert e gjykatave dhe zvarritjet e shumta të seancave gjyqësore;
    • shmang bllokimin e çështjes në instanca më të larta;
    • edhe nëse rezulton e pasuksesshme, palët kanë gjithmon të drejtën ti drejtohen gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
    • në kohën e pandemisë Covid-19, paraqet një ndër alternativat jashtëgjyqësore më të përshtatshme dhe efikase pasi mundëson zhvillimin e seancave të ndërmjetësimit nëpërmjet platformave online duke mënjanuar kështu çdo lloj rreziku dhe zvarritje në caktimin e seancave gjyqësore.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet