Kam marr në përdorim një truall për 100 vjet për përdorim! Në vitin 1991 kam ndërtuar një lokal , kam hartat e vjetra, hipotekore, në vitin 2010 u shëmb një pjesë e lokalit pasi do ndëryhej nga bashkia për rregullimin e një përroji që i binte afër lokalit, në 2015 morra shpërblim me vendim gjykate për dëmin që më ushtroj bashkia në lokal. Ato lekë nuk i përdora për riparim . Tani une dua të bëj letrat për certifikatë pronësie , si të veproj për tu pajisur me certifikatë pronësie për objektin? Ku të drejtohem? Çfarë letratsh të paraqes dhe si ? Faleminderit!
One Response
Përshëndetje!
Njohja pronar mund të jetë në një nga mënyrat origjinale të fitimit të pronësisë siç është fitimi me parashkrim fitues pa titull parashikuar nga neni 169 i K.Civil, qe parashikon: Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzet vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”. Referuar kontratave te energjise, sa i perket te provuarit me ane te tyre te posedimit te qete, te panderprere dhe me mirebesim te sendit te paluajtshem, tokes truall ku keni ngritur banesën. Gjithashtu ju mund t’i drejtoheni Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në përfundim të regjistrimit fillestar ose pas regjistrimit të çdo kalimi pronësie nga një pronar te një tjetër, lëshon certifikatën e pronësisë. Leshimi i certifikatës së pronësisë bëhet nëpermjet një kërkese në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në vendin ku ndodhet pasuria. Në certifikatë pasqyrohen të gjitha informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi të.Certifikata e pronësisë ose e bashkëpronësisë lëshohet gjithmonë mbi bazën e një dokumenti ligjor original nga i cili provohet ekzistenca e këtyre të drejtave. Një certifikatë e lëshuar në kundershtim me këtë parashikim ligjor do të konsiderohet absolutisht e pavlefshme.
Në përgjigje të pyetjeve tuaja:
Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), në zbatim të Ligjit Nr. 111/2018 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit.
Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ASHK-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe kodin e sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike.
Çdo tarifë për shërbimin në ASHK, paguhet në llogarinë bankare të agjencisë. Pagesa mund të kryhet përmes Bankës Credins, sporteleve të Postës Shqiptare si dhe online nëpërmjet Portalit e-Albania, me një kartë debiti ose krediti brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portalin e-Albania
– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për regjistrimin e objekteve të legalizuara”
– Klikoni butonin “Përdor”
– Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.
– Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit
– Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën ose kryeni pagesën online përmes portalit e-Albania me një kartë debiti ose krediti
– Punonjësi i ASHK-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania.
* Pas kryerjes së aplikimit ju nuk duhet të prisni shërbimin postar për kthim-përgjigjen e aplikimit të kryer, por do të mund të merrni përgjigjen me vulë dhe firmë elektronike tek “Dokumentat e Mia” në profilin tuaj në e-Albania.
Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit ne portalin e-Albania, mund të paraqiteni prane zyrave te ADISA-s ose te kontaktoni në adresën helpdesk@e-albania.al ose https://www. e albania.al.
Ju faleminderit!