Certifikimi i shtepise se ndertuar ne vitet ’50

Pershendetje,

Im ate jeton ne qytetin e Rrogozhines dhe aty ka nje shtepi private te tijen qe e ka ndertuar vete rreth viteve 1950. Ai nuk posedon asnje certifikate pronesie (edhe pse shtepia duhet te jete bere me rregulllat dhe ligjet e asaj kohe dhe eshte e pa imagjinushme qe te ndertoje nje shtepi pa leje ne mes te qytetit ne ate kohe). Nisur nga fakti qe im ate eshte ne moshe teper te vjeter (85 vjec), ai deshiron qe te marre nje certifikate pronesie te kesaj shtepie dhe t’ja dhuroje djemve te tij perpara se te vdese. Si rezultat i kesaj ceshtje dua te di:
1. Ku mund te shkoj (ne cilin institucion lokal, rajonal apo qendror) qe te pyes dhe te verifikoj nese ka kjo shtepi nje certifikate pronesie ne emer te tij? Pra, a njihet ligjerisht kjo shtepi ne pronesi te im ate?
2. Ne qofte se nje certificate pronesie ne emer te tim ate nuk ekziston, cfare dokumentash me duhet te mbledh dhe nga cili institucion? Dhe ku duhet (ne cilin institucion) t’i dorezoj/aplikoj per te marre certificate pronesie te kesaj shtepie?
3. Ne qofte se do me duhet te bej nje aplikim, sa zgjat kjo procedure nga momenti i te berit te aplikimit dhe i marrjes se certifikates se pronesise? Dhe a kane institucionet shqiptare (psh kadastra) nje procedure te shpejte, kur aplikanti eshte i vjeter dhe mund te vdese perpara sesa te marre tapine?  (nese kjo procedure zgjat me muaj e vite).
4. A ka ndonje procedure specifike ne rastin e tim eti per te marre nje certifikate pronesie (pra kur trualli i shtepise eshte dhene nga vete shteti nga vitet 1950 dhe jane ndertuar me ato rregulla dhe ligje dhe shtepia dhe kopshti qe ka nuk ka ndryshuar gjate gjithe kesaj kohe) apo atij do te duhet te ndjeke te njetat rregulla/procedura qe ndjekin te tjeret per shtepi qe jane ndertuar mbas viteve 1990?
5. Per te evituar ndonje situate dhe me te komplikuar (nese im ate vdes perpara se te marri nje certifikate pronesie per shtepine e tij), cfare mund te bej im ate tani qe do te lehtesonte nje gje te tille? Per shembull:
a. A mund te beje im ate nje akt dhurimi/ kontrata dhurimi tani (dhe pse ai nuk ka nje certificate pronesie per shtepine) dhe t’ja kaloj kete prone djalit te tij?
b. Im ate ka shtate femije dhe 5 vajzat e tij jane dakort qe shtepia t’ju kaloje ne pronesi te dy djemve. A do mjaftonte nje deklarate e shkruar me dore nga secila nga vajzat (pra nga te pestat vajza dhe jo vetem nje firme ne fund, por nje deklarate e plote e shkruar me dore nga vete ata) qe te njihet ligjerisht qe ato nuk duan pjese ne kete shtepi? (Ju bej me dijse se ato nuk kane mundesi te vine ne Shqiperi qe te jene present per te bere nje gje te tille perpara nje noteri shqiptar).
Ju faleminderit


Qytetari: D. D. Data: 2 January , 2021, Kategoria: Ceshtje pronesie.

One response to “Certifikimi i shtepise se ndertuar ne vitet ’50”

  1. 1

    Pershendetje,

    Lidhur me pyetjet tuaja, gjeni pergjigjet si vijon:
    1. Ku mund te shkoj (ne cilin institucion lokal, rajonal apo qendror) qe te pyes dhe te verifikoj nese ka kjo shtepi nje certifikate pronesie ne emer te tij? Pra, a njihet ligjerisht kjo shtepi ne pronesi te im ate?
    Për të verifikuar nëse pasuria është e pajisur me dokumente pronësie duhet të bëni një aplikim pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ky aplikim mund të bëhet pranë zyrës përkatëse të ADISA, ose online pranë portalit qeveritar e-albania.

    2. Ne qofte se nje certificate pronesie ne emer te tim ate nuk ekziston, cfare dokumentash me duhet te mbledh dhe nga cili institucion? Dhe ku duhet (ne cilin institucion) t’i dorezoj/aplikoj per te marre certificate pronesie te kesaj shtepie?
    Aplikimi për regjistrimin e banesës bëhet pranë Drejtorisë Rajonale Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
    VKM Nr.827, dt.30.09.2020 parashikon se: “Subjekte përfituese të objektit pa titull janë personat kërkues që e posedojnë objektin pa titull pronësie, së bashku me ata që janë në bashkësi ligjore me këta të fundit, sipas dispozitave të Kodit të Familjes. Me paraqitjen e kërkesës, subjekti deklaron se nuk ka kryer veprën penale të “dhunimit të banesës”, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas dispozitave të Kodit Penal. Ai, gjithashtu, ngarkon kopje të dëshmisë së penalitetit të kohës së aplikimit, e cila verifikohet nga ASHK- ja vetëm për efekt të kësaj vepre penale. Në qoftë se dëshmia e përmban një vepër të tillë, procedura administrative vijon vetëm nëse vepra penale nuk është kryer për ndërtimin objekt kërkese. Në këtë rast, për verifikimin e këtij fakti, drejtoria vendore e ASHK-së i kërkon informacion gjykatës kompetente që ka gjykuar çështjen.”

    3. Ne qofte se do me duhet te bej nje aplikim, sa zgjat kjo procedure nga momenti i te berit te aplikimit dhe i marrjes se certifikates se pronesise? Dhe a kane institucionet shqiptare (psh kadastra) nje procedure te shpejte, kur aplikanti eshte i vjeter dhe mund te vdese perpara sesa te marre tapine? (nese kjo procedure zgjat me muaj e vite).

    Personi posedues i pasurisë ka të drejtë të kërkojë kryerjen e procedurës së kalimit të pronësisë në mënyrë të përshpejtuar, brenda një afati 90-ditor, përfshirë dhe periudhën e afishimit publik, nga momenti i aplikimit, përkundrejt tarifës së diferencuar në vlerën 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë.

    4. A ka ndonje procedure specifike ne rastin e tim eti per te marre nje certifikate pronesie (pra kur trualli i shtepise eshte dhene nga vete shteti nga vitet 1950 dhe jane ndertuar me ato rregulla dhe ligje dhe shtepia dhe kopshti qe ka nuk ka ndryshuar gjate gjithe kesaj kohe) apo atij do te duhet te ndjeke te njetat rregulla/procedura qe ndjekin te tjeret per shtepi qe jane ndertuar mbas viteve 1990?

    Nëse babai juaj ka dokumente pronësie mbi truallin atëherë ai duhet t’i paraqesë në kadastër, pasi trualli trajtohet në mënyrë të diferencuar, si truall nën ndërtim dhe oborr funksional. Personat kanë të drejtë të përfitojnë pa pagesë truall deri në 300m, ndërkohë që për truall me sipërfaqe më të madhe mund ta përfitojnë vetëm kundrejt pagesës.

    5. Per te evituar ndonje situate dhe me te komplikuar (nese im ate vdes perpara se te marri nje certifikate pronesie per shtepine e tij), cfare mund te bej im ate tani qe do te lehtesonte nje gje te tille? Per shembull:
    a. A mund te beje im ate nje akt dhurimi/ kontrata dhurimi tani (dhe pse ai nuk ka nje certificate pronesie per shtepine) dhe t’ja kaloj kete prone djalit te tij?

    Dhurimi i sendeve të ardhshme nuk është i lejuar në bazë të dispozitave të Kodit Civil. Pra përsa kohë babai juaj nuk ka pasuri të regjistruar ai nuk mund ta dhurojë.

    b. Im ate ka shtate femije dhe 5 vajzat e tij jane dakort qe shtepia t’ju kaloje ne pronesi te dy djemve. A do mjaftonte nje deklarate e shkruar me dore nga secila nga vajzat (pra nga te pestat vajza dhe jo vetem nje firme ne fund, por nje deklarate e plote e shkruar me dore nga vete ata) qe te njihet ligjerisht qe ato nuk duan pjese ne kete shtepi? (Ju bej me dijse se ato nuk kane mundesi te vine ne Shqiperi qe te jene present per te bere nje gje te tille perpara nje noteri shqiptar).

    Heqia dorë nga trashëgimia mund të bëhet vetëm pas çeljes së trashëgimisë, pra pasi trashëgimlënësi ka ndërruar jetë dhe vetëm përpara noterit publik dhe në asnjë rast me dokument shkresor të hartuar jashtë zyrës noteriale.
    Zgjidhja në rastin tuaj është testamenti nga ana e babait në emër të fëmijëve që dëshiron t’ju lerë pasurinë. Kjo do të ndihmonte që edhe në rast se procedurat do të mbeteshin të papërfunduara, atëherë fëmijët trashëgimtarë të kenë të drejtë që t’i vijojnë këto procedura. Në këtë rast nuk ka asnjë nevojë që motrat tuaja të jenë prezent, as në momentin e hartimit të testamentit dhe as më vonë.
    Duhet t’ju bëjmë me dije se duke pasur parasysh moshën e thyer të babait tuaj, për të siguruar që nuk do të ngrihen probleme lidhur me aftësinë për të kuptuar të babait tuaj në momentin e hartimit të testamentit, qe do te mund te cenonte vlefshmerine e testamentit si akt juridik, duhet të merrni një raport mjeko-ligjor që provon aftësinë e tij.

Leave a Reply


Kthehu tek pyetjet