Certifikate pronesie

Pershendetje,

Une dhe burri im kemi nje shtepi dhe nje dyqan. Te certifikatata e pronesise e ketyre pasurive eshte shenuar vetem emri im. Doja te dija a mundet qe te shtoj edhe emrin e bashkeshortit ne keto certifikata pronesie? Si duhet te veproj? Ju faleminderit,

Qytetari: M.D.
Data: 27 Janar 2022, Kategoria: Çështje pronësie, Procedura administrative

Përgjigje nga Avokatët tanë për pyetjen.

One Response

  1. 1

    Përshëndetje,
    Në lidhje me pyetjen tuaj, ju sqarojmë si në vijim:
    Fillimisht ju bëjmë me dije se Kodi i Familjes në nenin 66 e vijues të tij ka përcaktuar llojet e regjimeve pasurore martesore, ndër to edhe regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore, regjim i cili zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor.

    Në nenin 74 të Kodit të Familjes përcaktohet shprehimisht se cilat pasuri apo të ardhura bëjnë pjesë në regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore, ku konkretisht janë:
    a) pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;
    b) të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
    c) frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
    ç) veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës. Në rast se veprimtaria tregtare para lidhjes së martesës i përkiste vetëm njërit prej bashkëshortëve, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, bashkësia përfshin vetëm fitimet dhe shtimin e prodhimit.

    Ndërkohë, disa pasuri edhe përse mund të jenë fituar gjatë martesës janë pasuri vetjake dhe kurrsesi nuk i nënshtrohen regjimit pasuror të bashkësisë ligjore, të tilla si:
    a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;
    b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose legut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;
    c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake;
    ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;
    d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;
    dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura;
    e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.

    Duke iu rikthyer pyetjes tuaj, nëse pronat e përmendura nga ju, nuk janë prona të fituara me trashëgimi, kontratë dhurimi, etj. (pra pasuri vetjake), në referim te ligjit nr.111/2018, konkretisht nenit 45 te tij, nëse pasuria objekt i kontratës së kalimit të pronësisë realizuar në favor të personave fizikë, të cilët në regjistrin e gjendjes civile kanë statusin e të martuarit, është pasuri e fituar gjatë martesës, regjistrimi në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë bëhet në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve, për sa kohë ata nuk provojnë se i nënshtrohen një regjimi pasuror martesor të veçantë.

    Nëse jeni ne kushtet e sipërcituara, ju duhet t’i drejtoheni me shkrim ASHK-së, ku bashkëlidhur t’i vendosni çdo dokumentacion qe dispononi për pronat, certifikatën e martesës, si edhe certifikatën e gjendjes familjare.
    Faleminderit!

Lini një Përgjigje