Pershendetje, jam i interesuar per nje djale qe kam njohur pasi e kane braktisur ne jetimore qe foshnje dhe sot qe ka mbushur 18 vjec e kane nxjerr nga jetimorja, por ai nuk ka asnje mundesi strehimi as te ardhura, babai tij biologjik eshte ne gjendje te mire ekonomike por nuk interesohet fare per te dhe as nuk e pranon ate. Doja te dija nese ka ndonje forme se si mund ti drejtohet gjykates per te kerkuar dicka, apo ku mund te drejtohet!
One Response
Pershendetje
Sipas legjislacionit shqiptar (Ligji Nr.8153/ 1996 “Për statusin e jetimit”, i ndryshuar, neni 1), përfitojnë statusin e jetimit personat me moshë nga 0-25 vjeç, të rritur ose jo në institucione shtetërore a private të përkujdesit shoqëror dhe që plotësojnë disa kritere ndër të cilët edhe personat që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre. Përderisa në momentin aktual, personi nuk ka të njohur atësinë dhe ka moshën mbi 18 vjeç e gëzon statusin e jetimit, sepse plotëson kriterin e mësipërm. Prandaj, ai mund të përfitojë nga ky status përkrahje lidhur me disa shërbime.
Sipas Ligjit Nr.8153/ 1996 “Për statusin e jetimit”, institucionet që janë përkujdesur (edhe ato arsimore), janë të detyruara që me mbarimin e vitit të parafundit të shkollës të dërgojnë statistika të sakta pranë Ministrisë përgjegjëse për çështjet e punës dhe çështje sociale, si dhe pranë zyrave të ndihmës dhe përkujdesit shoqëror në bashki, me qëllim që të merren masa për sistemimin e tyre me punë dhe strehim sipas rregullave që caktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Duke qenë se problemi kryesor i tij pas largimit nga konvikti është strehimi, sjellim në vëmendje se ai mund të jetë përfitues i programeve sociale të strehimit të ofruara nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse (programi i banesave sociale me qira, programi i banesave me kosto të ulët…etj), bazuar në kriterin e kushteve sociale, ku kanë përparësi edhe individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç.(Ligji Nr. 22/2018 “Për strehimin social”)
Duke gëzuar statusin e jetimit, personi mund të përfitojë edhe shërbime të tjera si:
– Bazuar në Ligjin Nr. 57/ 2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, ai mund të jetë përfitues i ndihmës ekonomike si person me statusin e jetimit që nuk ndodhet në institucionet e përkujdesjes shoqërore dhe konsiderohet “individ në nevojë”. Në kuptimin e këtij ligji, “jetim është është fëmija deri në moshën 25 vjeç. (Neni 4, pika g dhe gj; Neni 7, pika b)
– Ai mund t’i drejtohet zyrave të punës, për tu regjistruar si i papunë(nëse nuk vazhdon shkollën e mesme apo të lartë). Sipas legjislacionit, punësimi i jetimëve duhet të bëhet me përparësi nga zyrat e punës e përkujdesjes sociale; jetimët e punësuar trajtohen me përparësi nga punëdhënësi, duke krijuar mundësi për mbajtjen në punë gjatë procesit të shkurtimit të veprimtarisë.( Ligji Nr.8153/ 1996 “Për statusin e jetimit”, neni 12 dhe 13)
– Nëse nuk është në marrëdhënie pune, i sigurohen falas nga shteti shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet si dhe udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror e privat qytetas, si dhe ndërqytetas sipas akteve nënligjore përkatëse.(Ligji Nr.8153/ 1996 “Për statusin e jetimit”, neni 9 dhe 10)
– Nëse ndjek shkollën e mesme ose të lartë përfiton bursë dhe trajtim me veshmbathje për vitet e shkollës së mesme dhe të lartë, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.( Ligji Nr.8153/ 1996 “Për statusin e jetimit”, neni 6)
– Nëse është duke kryer shërbimin e detyruar ushtarak, duhet t’i jepet nga shteti një kuotë suplementare dhe pasi e mbaron atë duhet të sistemohet me strehim e punë nga bashkia në bazë të kërkesës së bërë 6 muaj më parë nga kryesia e Shoqatës së Jetimëve Shqiptarë.
– Ai mund të përfitojë edhe nga shërbimi “strehimi i organizuar”, i cili është një shërbim i kujdesit shoqëror në nivel vendor, që ofrohet për 24 orë në ditë në qendrat rezidenciale, për të përmbushur nevojat themelore sociale, kulturore, arsimore, rekreative nga subjekte publike ose jopublike. Ligji Nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë” i parashikon shprehimisht edhe jetimët si kategori përfituese.(Neni 23)
Faleminderit.