JURISTI ONLINE

Informacion per qendrimin e te denuarve ne shtepi

Informacion për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve për shkak të epidemisë së
shkaktuar nga COVID-19
 Akti normativ i miratuar në 24 mars 2020, ka për objekt përcaktimin e kushteve dhe të kritereve
për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve, si një leje e veçantë, gjatë kohëzgjatjes së
epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, me qëllimin që të parandalohet përhapja e infeksionit të
në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.
 Personat që përfitojnë nga ky akt do të kenë të drejtën e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi
për një periudhë 3-mujore, si një leje e veçantë që i jepet të dënuarit, nëpërmjet të cilës i dënuari
qëndron përkohësisht:
o në shtëpinë e tij;
o në një shtëpi tjetër private;
o apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik.

 Ky akt do të zbatohet për çdo person të dënuar burgim me vendim gjyqësor penal të formës së
prerë, që vuan aktualisht dënimin në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale
dhe që plotëson kushtet e mëposhtme:
1. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim;
2. I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim dhe është 60 vjeç ose më
shumë, apo vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, sipas vërtetimit të
dokumentit mjekësor.
 Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në
kohën e vuajtjes së dënimit.
 Nuk përfiton leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi personi i dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit;
b) krime kundër jetës, të kryera me dashje;
c) veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;
d) krime seksuale;
e) vepra penale kundër lirisë së personit;
f) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;
g) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;
h) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
i) vepra me qëllime terroriste;
j) krime kundër autoritetit të shtetit;
k) vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.
 Nuk përfiton leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i dënuari i cili, pavarësisht
se nuk është dënuar për një nga veprat penale të parashikuara më sipër:
a) është në hetim ose është dënuar për një vepër tjetër penale gjatë qëndrimit në institucion;

b) ka marrë një masë disiplinore gjatë gjashtë muajve të fundit;
c) paraqet rrezikshmëri shoqërore ose ka pasoja për rendin dhe sigurinë publike;
d) nuk ka një banesë, ose familjarët e tij nuk japin pëlqimin për të qëndruar në të njëjtën
banesë.
 I dënuari, gjatë kohës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi me leje të veçantë, është i detyruar
që:
a) të mos largohet nga shtëpia, pa miratimin paraprak të strukturës vendore të Policisë së
Shtetit;
b) të mbajë kontakte të rregullta me strukturën vendore të Policisë së Shtetit, në bashkinë ku ka
vendbanimin;
c) të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë;
d) të zbatojë masat e veçanta për parandalimin e sëmundjeve infektive të miratuara nga
autoritetet përgjegjëse shtetërore;
e) të paraqitet, në datën e përfundimit të periudhës qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, në
institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku po vuante dënimin.
Procedura e përfitimit të lejes së veçantë
 I dënuari paraqet kërkesën për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi së bashku me formularin e
marrjes së përgjegjësisë, si dhe familjarët e tij japin pëlqimin për qëndrimin e përkohshëm në
shtëpi të të dënuarit, pranë komisionit të krijuar pranë Institucionit të Vuajtjes së Dënimit ku ai
është duke vuajtur dënimin.
 Komisioni i IEVP-së vlerëson kërkesën për përfitimin e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi,
brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesës së të dënuari.
 Në rast se komisioni vlerëson që i dënuari i përmbush kushtet për përfitimin e qëndrimit të
përkohshëm në shtëpi, i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin e lejes së
veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi.
 Kur Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, çmon se propozimi është në përputhje me aktin
normativ, brenda 3 (tre) ditëve miraton lejen e veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi.
 Kur Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vlerëson se nuk përmbushen kriteret, i kërkon
Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve rivlerësimin e kërkesës për përfitimin e lejes
së veçantë. Vendimi i Komisionit të posaçëm për miratimin e lejes së veçantë merret brenda 3
(tre) ditëve dhe është i detyrueshëm për Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.
 Në rast se, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, nuk është deklaruar
përfundimi i gjendjes së epidemisë, periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi të subjekteve
përfituese të lejes së veçantë zgjatet me 3 (tre) muaj të tjerë.