Informacion lidhur me kontrollin teknik dhe taksat e qarkullimit të mjeteve në Republikën e Shqipërisë Prej datës 13 mars 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DShTRR), ka ndërprerë zyrtarisht të gjitha shërbimet që mund të kryhen vetëm pranë zyrave të saj, duke përjashtuar veprimet online. Për këtë arsye është vendosur pezullimi i të gjitha afateve të lidhura me dokumentet dhe shërbimet që përfitohen pranë këtij institucioni. Kjo do të thotë se, nëse gjatë periudhës së pezullimit të shërbimeve si rezultat i virusit COVID-19, ju përfundon afati i lejes së drejtimit, kontrollit teknik të mjetit (kolaudimit), taksave të qarkullimit të mjetit: – Të gjitha dokumentet do të jenë të vlefshme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përfundimit të afatit. – Asnjë person nuk do të ketë sanksion administrativ, tani apo pas rifillimit të punës në sportele, përsa i përket mosrespektimit të afateve të shlyerjes së detyrimeve të taksave, apo rinovimit të dokumenteve ligjore. Pas përfundimit të periudhës së rrezikut të shpërndarjes së virusit dhe rihapjes së sporteleve të shërbimit të DShTRR, llogaritja e ditëve të mbetura do të rifillojë nga dita që u ndërpre zyrtarisht shërbimi.