JURISTI ONLINE

Informacion per Aktin Normativ

Informacion për masat e veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19

Në dt.15 mars 2020, Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ me fuqinë e ligjit, me qëllim parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Në dt.24 mars 2020, u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore, në përputhje me ligjin 45/2019, “Për mbrojtjen civile”. Këto masa janë të përkohshme dhe janë të vlefshme vetëm për gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Fashat orare të lëvizjes, apo ndalimit të saj janë të përcaktuara nga Policia e Shtetit dhe ndryshojnë vazhdimisht.

Veprimtaritë për të cilat akti normativ parashikon dënimin me gjobë të tyre, janë si më poshtë:

  1. Eksportimi i barnave dhe paisjeve mjekësore në Republikën e Shqipërisë pa autorizim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
  2. Zhvillimi i aktiviteteve publike dhe jopublike të çfarëdolloji, në vende të mbyllura apo të hapura.
  3. Hyrja e familjarëve dhe shoqëruesve në ambientet e urgjencës mjekësore, spitale dhe çdo institucion të kujdesit shëndetësor. Kjo lejohet vetëm me kërkesë të drejtorisë spitalore.
  4. Pas hyrjes në territorin shqiptar, deklarimi i vendit nga vjen dhe vetëkarantintinimi për 14 ditë.
  5. Vetëkarantimi i personave që rezultojnë me COVID-19.
  6. Lëvizja me automjete jashtë orareve të përcaktuara dhe vetëm me autorizim paraprak. Autorizimi merret nëpërmjet plotësimit online të formularit të vetëdeklarimit në këtë link: http://autorizime.asp.gov.al/apply .
  7. Subjektet tregtare nuk mund të bëjnë ndryshime të çmimeve të produkteve që ata tregtojnë jashtë rregullave normale të tregut.
  8. Transmetimet audiovizive lejohen vetëm me një numër prej dy personash në studio.
  9. Farmacitë, tregtuesit e produkteve ushqimore si dhe subjektet e tjera që lejohet të ushtrojnë veprimtarinë gjatë kësaj periudhe, duhet që të marrin të gjitha masat e përcaktuara nga organet kompetente për të garantuar mosshpërndarjen e infeksionit COVID-19.
  10. Ndalohet lëvizja e këmbësorëve jashtë fashave orare të përcaktuara, si dhe të shoqëruar pavarësisht orarit. Krahas gjobitjes, individët të cilët lëvizin me biçikletë ose motorr do t’ju sekuestrohet mjeti për tre muaj. Këmbësorët që kanë një automjet do t’ju bllokohet automjeti për tre muaj, edhe pse nuk janë duke lëvizur me të. Personat që shkelin këtë ndalim nuk do të përfitojnë as nga paketa financiare e solidaritetit.

Masat administrative gjatë kësaj periudhe jepen nga autoritetet publike të cilat kanë kompentecën e kontrollit të veprimtarisë përkatëse si dhe nga Policia e Shtetit.

Gjobat e marra në zbatim të këtij akti normativ përbëjnë titull ekzekutiv.

Gjatë kësaj periudhe:

  1. Shërbimi postar vazhdon veprimtarinë e tij.
  2. Mbyllja e restoranteve nuk prek ato të cilat ofrojnë shërbimin me dërgesa në shtëpi.
  3. Lëvizja e qytetarëve nga një qytet në tjetrin bëhet vetëm për raste shumë specifike, me miratim të Policisë së Shtetit dhe me itinerar dhe orare të lëvizjes të përcaktuar qartësisht.
  4. Veprimtaritë e lejuara janë vetëm ato të cilat janë të publikuara nga ana e Policisë së Shtetit dhe ato brenda një fashe orare të përcaktuar, e cila është objekt i ndryshimeve të vazhdueshme.

Subjektet që tregtojnë produkte ushqimore me shumicë, kanë detyrimin që të sigurojnë rezerva ushqimore deri në 3 muaj. Në rast se në përfundim të situatës së infeksionit këto produkte nuk kanë arritur që të shiten, ato do të blihen nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit.